24-11-2024

Qindra mësimdhënës me padi ndaj komunave për pagesën jubilare

Qindra mësimdhënës anekënd Kosovës po detyrohen që individualisht apo në mënyrë të organizuar të ngritin padi nëpër gjykatat vendore në mënyrë që të fitojnë të drejtën e tyre ligjore për të marrë pagesën për vitet jubilare.

Ndonëse në Kontratën Kolektive të nënshkruar në vitin 2017 mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, në nenin 35, pika 8, thuhet se mësimdhënësve u takon shpërblimi për vitet jubilare, kjo në shumicën e rasteve nuk po ndodh.

Kështu deri më tani shumica e komunave nuk kanë respektuar Kontratën Kolektive dhe rrjedhimisht nuk kanë bërë pagesën për pagën jubilare të mësimdhënësve.

Duke u përballur me këtë situatë, mësimdhënësit po detyrohen që individualisht apo në mënyrë të organizuar të ngritin padi nëpër gjykatat vendore në mënyrë që të fitojnë të drejtën e tyre ligjore për të marrë pagesën për vitet jubilare.

Se buxhetit të Kosovës po i shkaktohen dëme nga mospagesat me kohë të pagave jubilare, e pranojnë edhe zyrtarë nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të cilët theksojnë se për këtë çështje përgjegjës janë komunat.

Valmir Gashi, që ka pozitën e këshilltarit politik të ministrit së Arsimit, i tha Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se ministria ka ndarë mjete financiare për këtë kategori në mënyrë që të mos dëmtohet buxheti i vendit përmes padive.

“Pagat jubilare janë çështje të komunave të parapara edhe me Kontratë Kolektive. Gjithsesi, lidhur me pagat jubilare që marrin mësimdhënësit, ka qenë një problem më i zgjeruar. Për këtë kemi planifikuar në grantin specifik ndarje të buxhetit për këtë çështje dhe presim që të aprovohet kjo politikë e Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që mësimdhënësit të mos kenë nevojë t’u drejtohen gjykatave, që pastaj të kemi edhe dëmtim të buxhetit të shtetit”, është shprehur Gashi.

Se në gjykatat vendore janë me dhjetëra padi kolektive dhe me qindra individuale, e thonë edhe zyrtarë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Juristi i SBASHK-ut, Blendor Shatri tha se nga më shumë se 600 padi që janë ngritur kundër drejtorive komunale të arsimit, disa prej tyre janë duke pritur zgjidhje qysh nga viti 2015.

“Në janar të 2017 janë dorëzuar mbi 20  padi kolektive të cilat janë në procedurë. Një pjesë e tyre 5 ose 6 komuna kanë marrë formën e prerë të vendimit dhe janë realizuar pagesat përmes përmbaruesit dhe vullnetit të komunave. Një pjesë tjetër janë ende në Gjykatë të Apelit. Disa komuna si Peja dhe Mitrovica ende janë në fillim, nuk na kanë ftuar në seancë sepse është lëndë vuliminoze që dëshiron kohë. Përveç këtyre ne kemi edhe lëndë individuale të cilat janë në proces, e që kalojnë deri në 600 persona (mësimdhënës)”, thotë Shatri.

Ai tutje ka sqaruar se SBASHK-u nuk ka humbur asnjë rast të vetëm gjyqësor në përkrahjen e mësimdhënësve për përfitimin e pagesës së viteve jubilare.

Sipas tij, gjykatat vendore i kanë marrë seriozisht këto lëndë dhe kohën e fundit lëndët individuale po zgjidhen më shpejt.

“Vitet e fundit jemi duke ngritur padi individuale, sepse po është problem në gjykata dhe po përfundojnë shumë më shpejt sepse edhe gjykata po i merr si lëndë serioze. Tek paditë kolektive po merr kohë mbi 2 vite, ndërsa tek individualet po përfundojnë deri në 6 muaj. Nuk ka ndonjë rast të humbur deri më tani. Me kontratën e re të vitit 2017, pagat jubilare jepen gjatë viteve të punës dhe atë me rastin e 7 marsit”, ka thënë Shatri.

Bazuar në Kontratën Kolektive, për 10 vite punë, punëtorët e arsimit duhet të shpërblehen në vlerë prej 50% të pagës pazë. Ndërkaq mësimdhënësit të cilët kanë mbushur 20 vite punë, është paraparë të shpërblehen me 75% të pagës bazë.

Po ashtu edhe punëtorët të cilët kanë mbushur 30 vjet punë do të marrin një pagë bazë shtesë, ndërsa ata të cilët kanë 40 vite punë, do të shpërblehen me 150% të pagës bazë.

E sipas Kontratës kolektive (2017), punëtorët e arsimit që dalin në pension do të përfitojnë edhe pagesë përcjellëse në lartësi të tri pagave sipas mesatares së tri pagave të fundit të punëtorit. Tutje sipas kësaj marrëveshjeje, pagat përcjellëse paguhen nga punëdhënësi i fundit dhe jo me larg se 30 ditë nga dita e pensionit.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), vazhdimisht u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës që të zbatojë pikat e Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës.

SBASHK-u ka kërkuar nga kryetarët e komunave të Kosovës që të kur të bëjnë planifikimin buxhetor për vitin e ardhshëm, të planifikojnë edhe mjete për të realizuar obligimet nga Kontrata Kolektive e Arsimit./FaktePlus

Asnjë koment

Comments are closed.