Quni i LDK-së nuk përjashton bashkëqeverisjen me VV-në
Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë nuk kam personalisht vija të kuq përkundër gjitha atyre frustrimeve dhe konfuzioneve që janë shkaktu, këto janë çështje që diskutohen në organet më të larta të LDK-së”, tha Quni.
Megjithatë, sipas tij për t’u arritur një gjë e tillë duhet të arrihet të implementohet programi i tyre qeverisës.
Quni komentoi edhe kërkesën e ndërkombëtarëve për qeveri stabile, duke thënë se qeverinë e ardhshme e presin procese komplekse.
“Kërkesa e ndërkombëtarëve është shumë e arsyeshme nga fakti se në agjendën e cilës do qeveri do të jenë disa prioritete esenciale për të ardhmen e Kosovës, jo vetëm të Kosovës por edhe për rajonin më gjerë. Prandaj duke filluar nga partia fituese, e cila do ta ketë mundësinë ta ndërtojë koalicionin deri të opsionet e tjera, duhet ta kenë parasysh këtë fakt se një qeveri e radhës duhet të jetë kredibile për faktin se do të menaxhojë procese shumë komplekse për të ardhmen e Kosovës.”, deklaroi Quni.