Quni: Ne vulosëm fitoren e Haskukës, ai vendosi të rrugëtojë pa ne
Mytaher Haskuka dje i dha fund koalicionit me LDK-në në Prizren, pasi që LDK-ja nuk mori pjesë në seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale, kështu opozita e rrëmbeu këtë pozitë, e kryesues u zgjodh asambleisti i PDK-së, Sulltan Badalli.
Menjëherë pas seancës, kryetari Mytaher Haskuka njoftoi se tash e tutje do të vazhdojnë qeverisjen pa LDK-në.
“Kemi kërkuar nga partneri ynë që të bëjmë shpërndarjen e përgjegjësisë me bindjen se kjo do ta rriste performancën dhe efikasitetin e shërbimeve karshi qytetarëve prizrenas“, thotë Quni, duke iu referuar kërkesës së LDK-së për një drejtori më shumë nga tre sa kishte deri më sot.
Quni thotë se kërkesat për balancimin e përgjegjësisë ishte në proporcion me përfaqësimin që LDK ka në Kuvendin Komunal.
“Ishim ne që i vulosëm fitoren e kryetarit Haskuka, i cili sot vendosi që tash e tutje të rrugëtoi pa ne“, përfundon Anton Quni duke e falënderuar Haskukën për bashkëpunimin.
Quni e Haskuka kohëve të fundit janë takuar disa herë, madje duke iu dërguar edhe porosi subjekteve të tyre të marrin shembull bashkëqeverisjen e tyre në Prizren, përderisa LDK dhe LVV po negocionin për formimin e Qeverisë.