24-11-2024

Qytetari i thotë Haskukës: Kjo qeverisje më e keqe se e kaluara

Një qytetar, që tha se po transmetonte bindjet e disa njerëzve të cilëve ua kishte kërkuar votat në emër të ndryshimit nga qeverisja e kaluar në Prizren, i tha kryetarit të Komunës, Mytaher Haskukës se ka zhgënjime për mënyrën e qeverisjes aktuale, duke e krahasuar si më të ‘keqe’ nga e mëparshmja.

Ahmet Shala nga fshati Caparc, ka thënë kështu në foltoren e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, gjatë dëgjimit të fundit publik, të organizuar me qytetarë për hartimin e buxhetit për vitin 2020, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

“Në fushatën zgjedhore jam angazhuar për t’i siguruar vota kësaj qeverisje, në emër të ndryshimit, por tash pasi disa projekte nuk po kryhen, në fshat më thonë se vërtet ka ndryshime, por më keq se të tjerët”, ka thënë ai.

Shala ka thënë kështu teksa përmendi disa projekte të parealizuara në Caparc, Velezhë e fshatrat përreth.

Ndërkaq, edhe Kujtim Baraliu, që ka kërkuar të parashihen mjetet për fasadimin e një banese kolektive, në zonën qendrore të qytetit, për shkak se pamja e saj shpesh bëhet shkak për fotografim nga turistët, pas marrjes së përgjigjes nga Haskuka, tha se është konfuz sa i përket debatit, duke shtuar se zyrtarët  “i paskan thirrur sa për të plotësuar normën”, meqenëse nuk po merren parasysh kërkesat.

Haskuka, njoftoi se Komuna e Prizrenit për vitin 2020 do të ketë një buxhet prej 50,901,457€, prej së cilës 43,341,162€ janë nga granti qeveritar dhe 7,560,295€ të tjera nga të hyrat vetanake. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.