19-05-2024

Rahovec: Dënim me kusht për një rast sulmi

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht për të akuzuarin për veprat penale “sulm”, Dritan Korenica.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Korenica nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, i akuzuari Korenica, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Enis Gashi.

Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 20 nëntor 2017, ndaj Dritan Korenica, duke e ngarkuar atë me veprat penale “sulm”

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 22 shtator 2017, rreth orës 09:00, në rrugën “Avdullah Bugari” në Rahovec, pikërisht tek lokali “Cobra”, me dashje përdor forcën kundër personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se derisa i dëmtuari Bekim Shtavica ishte duke pirë kafe në kafenenë  “Cobra”, aty shkon i pandehuri e pasi që kishte një mosmarrëveshje paraprake me të dëmtuarin, i afrohet dhe i drejtohet me fjalët “O dreq ku je” dhe menjëherë e godet me shuplakë duke e rrëzuar për tokë, por pas ndërhyrjes nga të pranishmit, ata arrijnë t’i ndajnë. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.