25-04-2024

Rahovec: Dështon gjykimi për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve

Mungesa e të akuzuarve Zlatko Gogiq dhe Adnan Ejupi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të premtën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, për veprat penale të falsifikimit të dokumenti dhe mashtrim.

Gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se për të akuzuarit ka dërguar ftesa të rregullta, duke shtuar se i akuzuari Zlatko Gogiq, ka njoftuar gjykatën se nuk do të mund të marr pjesë, ndërsa për të akuzuarin Adnan Ejupi në shkresat e lëndës, sipas tij, nuk ka prova se ai është ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e të akuzuarve për seancën e radhës që e ka caktuar për 25 shkurt 2019, tha se do t’i ftojë me ftesa të rregullta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur më 13 qershor 2016, Zlatko Gogiq akuzohet për dy vepra penale falsifikim i dokumenteve si dhe legalizim i përmbajtjes së rrejshme, për shkak se me 13 prill 2012, në Rahovec ka përpiluar si autentike, origjinal, regjistrin publik-dokumentin e Republikës së Serbisë për regjistrimin e automjetit të markës “Opel Corsa”, ndërsa sipas ekspertizës së Agjencisë Kosovare të Forenzikës ka rezultuar se dokumenti është falsifikuar.

Sipas aktakuzës, i njëjti me datë, kohë e vend si në dispozitivin e parë të aktakuzës, të falsifikuar e përdor dokumentin serb për regjistrimin e automjetit në fjalë dhe me të arrin ta vë në lajthim të dëmtuarën QKRA në Rahovec dhe nga qendra është pajisur me librezë dhe tabela regjistrimi të Republikës së Kosovës.

Tutje, në aktakuzës thuhet se i akuzuari tjetër Adnan Ejupi, akuzohet se më 2 prill 2013, në Rahovec me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vetën apo tjetrin e duke e ditur qe automjeti “Opel Corsa” është i regjistruar me dokumente false, të njëjtën ia shet të dëmtuarit Ilir Cena nga Rahoveci.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim”. /BetimipërDrejtësi.

Asnjë koment

Comments are closed.