Rahovec: “Hardh Fest”, tradita që po ndërkombëtarizohet
“Konaku” i Rahovecit më 16, 17 e 18 gusht u nderua edhe me artistë nga Kili i largët. Ronnie Romero, vokalisti ikonik i bendeve “Lords of Black”, “Rainbow” dhe “CoreLeoni”, bashkë me bendin nga Bullgaria “Eridan”, ishte deserti kryesor i “Hardh Festit” të sivjetmë.
I njohur për hitet e tij “Waiting for a Sign”, “Carry on Jon”, “World Gone Made” e plot të tjera, vokalisti 37-vjeçar ka bërë për vete publikun simpatik rahovecas në ditën e dytë të ngjarjes, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dea Luma, përgjegjëse e festivalit për marrëdhëniet me publikun, ka theksuar se krejt qëllimi i “Hardh Festit” është promovimi i prodhimeve të Rahovecit, si rrushi, vera dhe rakia. Ka thënë se për pesë vjet, prej se është ribrenduar festivali, organizatorët kanë arritur ta rrisin atë dhe të sjellin emra të njohur të muzikës.
“Me Romeron në festival, për neve është një ‘PR’ që po i bëhet jo vetëm Rahovecit, por edhe Kosovës. Ata po e promovojnë Rahovecin dhe Kosovën përmes rrjeteve sociale dhe mediumeve të ndryshme”, ka thënë Luma.
Edhe këtë vit, ndërmjetkoha e “Hardh Festit” u bashkëshoqërua me aktivitete të ndryshme. Nga “Hardh Eks” deri te “Mbretëresha e rrushit”, ngjarja vuri në garë ata që mund të rrëkëllenin më shumë gota raki, por edhe vajzat rahoveciane me veshje tradicionale e moderne.
Në skenën e natës së parë, të premten, defiluan “Rahoveci All Stars”. Kështu, këngëtarja Fjolla Gashi dhe James Kadiri, që jeton në Kanada, performuan disa prej hiteve të tyre.
Atmosfera në “konak” mori hov kur në skenë dolën gjashtë anëtarët e bendit hungarez “The Moog”.
I cilësuar shpesh si “eksporti më i ri i Hungarisë”, bendi solli në Rahovec disa prej hiteve kryesore të tij, i cili është një nga të parët në rajon që ka arritur të bëhet pjesë e një labeli amerikan.
Vokalisti 35-vjeçar, Tamás Szabó, disa herë me radhë falënderoi publikun e mbledhur.
E publiku rahovecas lidhjen më të mirë e pati kur në skenë u ngjitën “3 musketierët”. Me shkëputjet më të bukura të rokut shqiptar, si “Zemra e një gruaje”, “Dashurisë së shkuar”, “Ditë dimri” e plot të tjera, Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi i bënë për vete mijëra të rinj të mbledhur që shpesh interpretuan bashkë.
Në ditën e dytë, Ronnie Romero ka bërë mbjelljen e hardhisë së parë si pjesë e aktivitetit të ri “Be Hardh Fest”.
Me sukses ka përfunduar edhe “Hardh Mini-Maratona”, në të cilën Pajazit Hoti zuri vendin e parë, Betim Sharku të dytin dhe Bledi Morina të tretin.
Nga vrapimi gjashtëkilometërsh përmes peizazheve të bukura, arave dhe vreshtave të Rahovecit, janë mbledhur mjete në mbështetje të fëmijëve të prekur nga sëmundja e fibrozës cistike.
Prej orës 20:00, atmosfera u përshkua nga interpretimet e Mike B, “4×4”, Votra, Amer Doux, Maarvel & Teo on drums.
Ndërkaq në “line-up” të natës së tretë dhe përmbyllëse ishin Dj Lori K, Grupi KOHA, “Alt’n beats live act”, Arbër Krasniqi & Band, TNT, Ana Malo dhe Dns. Por festës i ëhstë bashkuar edhe letërsia me promovimin e dy librave të poetit rahovecian Xhevdet Bajraj. “Ca kokrra rrushi Rahoveci” dhe “Kur qajnë hardhitë” janë dy titujt më të ri të poetit që prej vitit 1999 jeton në Meksikë. “Hardh Fest” me organizime të tilla secilin vit është duke u rritur. (Koha Ditore)