Policia rajonale e Gjakovës ka bërë të ditur se të mërkurën ka pranuar informatën se një nxënës i klasës së shtatë të shkollës fillore të mesme të ulët “Bekim Sylka” në Rahovec ishte hedhur nga kati i dytë i shtëpisë së tij, ndaj ka iniciuar hetime për zbardhjen e rastit.
Bazuar në informatat që zyrtarët policorë kanë marrë nga prindi i nxënësit, gjendja e këtij të fundit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Zëdhënësja e Policisë rajonale të Gjakovës, Lirije Podrimaj-Beqiraj, ka bërë të ditur se pas kontaktimit të drejtorisë së shkollës është kuptuar se rasti në fjalë ka ndodhur të martën.
“Sot, me datën 25.04.2018, rreth orës 11:00, Stacioni Policor në Rahovec ka marrë informatë se një fëmijë-nxënës i klasës së shtatë në shkollën fillore ‘Bekim Sylka’ në Rahovec ishte hedhur nga kati i dytë i shtëpisë së tij, shkruan sot Koha Ditore.
Patrullat policore me të marrë informatën fillimisht kanë shkuar në shkollën ku nxënësi në fjalë ka vijuar mësimin aty, dhe kanë kontaktuar me drejtorin e kësaj shkolle, ku janë informuar se rasti në fjalë kishte ndodhur dje me datë 24.04.2018 rreth orës 11:00 në shtëpinë e nxënësit”, ka thënë Podrimaj-Beqiraj. Ajo ka sqaruar se zyrtarët policorë kanë kontaktuar edhe me prindin e fëmijës, i cili ka njoftuar se gjendja e nxënësit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë./koha.net/