25-04-2024

Rahoveci në përpjekje për t’i shtuar dramacitet finales

Rahoveci nuk i ka bërë shumë konkurrencë Z Mobile Prishtinës në ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të enjten mbrëma, Prishtina e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 110:82. Rahoveci nuk kishte mundur t’i rezistonte shumë Prishtinës as në finale të Kupës së Kosovës, që ishte luajtur pikërisht në Rahovec në fillim të marsit. Atë finale Prishtina e kishte fituar me rezultatin 96:60, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe tri prej katër ndeshjeve të stinorit të rregullt janë fituar bindshëm nga Prishtina dhe kjo jep pak gjasa që finalja të fitojë në dramaticitet pas ndeshjes së parë pa dramë.

Në të vërtetë, te Prishtina po synojnë që të mbyllin edicionin pa humbje, që do të ishte hera e parë për një skuadër. Te Prishtina janë mburrur që kanë mbyllur stinorin e rregullt pa asnjë disfatë, duke theksuar se kjo ndodhi për herë të parë.

Prishtina fitoi të gjitha 28 ndeshjet e stinorit të rregullt e më pas fitoi edhe tri ndeshjet gjysmëfinale të plejofit ndaj Bashkimit. Tani ka një fitore ndaj Rahovecit, ndërsa edhe për Kupë kishte vetëm fitore.

Kështu humbjet e vetme skuadra e kaltër i ka në gara evropiane, Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup.

Asnjë koment

Comments are closed.