23-11-2024

Rahoveci përgatitet për vërshime të mundshme

Komuna e Rahovecit është mobilizuar përballë mundësisë që për shkak të reshjeve të dendura që priten nga nesër të ketë edhe vërshime.

Kjo çështje është diskutuar edhe sot në takimin e rregullt të këshillit të drejtorëve të Komunës.

Në këtë takim, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Hasan Përboqi, ka bërë të ditur se ekipet e shpëtimit dhe të emergjencës dhe njësitë e tjera emergjente të Komunës janë mobilizuar dhe do të jenë aktive gjatë gjithë kohës si dhe do të jenë në shërbim të atyre që kanë nevojë.

Përmes një njoftimi, Komuna e Rahovecit tregon se edhe kompania për intervenime emergjente që është e kontraktuar nga Komuna është e njoftuar që të jetë në gjendje gatishmërie dhe t’i rrisë kapacitetet intervenuese në rast të nevojës për intervenim.

Komuna ka kërkuar edhe nga qytetarët që të marrin masat më herët dhe të jenë të gatshëm për çfarëdo përballje me vërshimet dhe përmbytjet e mundshme.Sipas paralajmërimeve që ka bërë Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik, nga dita e martë paralajmërohet përkeqësim i motit dhe pritet të ketë reshje të shiut në sasi më të mëdha sesa normalja nga ku edhe mund të ketë vërshime apo përmbytje.

Sipas paralajmërimeve zyrtare këto reshje pritet ta përfshijnë edhe komunën e Rahovecit.

Asnjë koment

Comments are closed.