01-05-2024

Rahovecin e dërrmuar e pret derbi i nxehtë në Suharekë

Ende të revoltuar për ndeshjen e mesjavës ndaj Feronikelit, te Rahoveci duhet të bëhen gati për ndeshjen e ardhshme në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Rahoveci luan të dielën (17:00) në Suharekë ndaj Golden Eagle Yllit në kuadër të xhiros së gjashtë të kampionatit të Kosovës.

Rahoveci në mesjavë luajti ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë ndaj Feronikelit. Ndonëse Feronikeli ishte vendas, ndeshja u luajt në Rahovec, por fitore befasuese shënoi skuadra nga Drenasi me rezultatin 75:72, shkruan Koha Ditore.

Por te Rahoveci vlerësojnë se arbitrat kanë ndikuar direkt në rezultat, duke mos pranuar një kosh të shënuar nga largësia në fund të ndeshjes. Një gjuajtje përtej gjysmës së fushës përfundoi në kosh, por arbitrat vlerësuan se gjuajtja ishte bërë pasi kishte përfunduar ndeshja.

Nëse koshi do të pranohej, ndeshja do të luhej edhe pesë minuta shtesë. Pati një tollovi në palestër pas vendimit të arbitrave, ndërsa FBK-ja ende nuk i ka bërë të ditura vendimet për atë ndeshje.

Por Rahoveci është njoftuar se ndeshja është regjistruar me rezultatin e arritur në parket, 75:72 në të mirë të Feronikelit.

Rahoveci ka paraqitur ankesë menjëherë pas ndeshjes, por të premten ajo është refuzuar nga Komisari i Garave, që ka regjistruar takimin.

Sipas vendimit, “kur tabela është e pajisur me LED ndriçim për skadimin e kohës së ndeshjes, ai ndriçim ka prioritet ndaj sinjalit të kohës për lojë”.

Por Rahoveci ka thënë se ky vendim është i papranueshëm. Në këtë klub vlerësojnë se po vazhdojnë të dëmtohen nga gabimet e arbitrave e sidomos nga vendimet jo të duhura të FBK-së.

Rahovecit për herë të tretë i janë refuzuar apelet. Te Rahoveci insistojnë se pikët është dashur të pranohen.

“Bordi i Rahovecit do të analizojë mosguximin e FBK-së që të marrë vendimet e duhura dhe do të dalë me konkluzione të tjera në vazhdim të garave”, thuhet në reagim.

FBK-ja ka hequr nga faqja zyrtare raportin për ndeshjen ndërmjet Feronikelit dhe Rahovecit. Po ashtu, nuk ka publikuar deri të premten informatorin për këtë ndeshje të kontestuar.

Rahoveci aktualisht renditet i treti, ndërsa ka edhe një ndeshje më pak të luajtur. Ylli është i vetmi ekip pa humbje deri më tash. Ka fituar katër ndeshjet e zhvilluara dhe prin në tabelë me 8 pikë. Pritet numër i madh i shikuesve në ndeshjen ndërmjet Yllit dhe Rahovecit, skuadrave që kanë rivalitet të madh në vitet e fundit.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.