25-11-2024

Rama trazon Këshillin e Evropës, mbron UÇK-në përballë “lajmit të rrejshëm” për trafik organesh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, muaj më parë kishte paralajmëruar iniciativën e tij në Këshill të Evropës kundër raportit të Dick Martyt me pretendime për trafik organesh nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët aktualisht ndodhen në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta Express.

Duke përmendur rrethanat aktuale dhe agresionin rus në Ukrainë, Rama ua ka rikujtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Këshillit të Evropës se ka qenë pikërisht anëtari i partisë së Vladimir Putinit, Konstantin Kosacev, ai që ka sjellë në KiE raportin e bazuar në librin e Carla Del Pontes e që më pas u bë edhe rezolutë me miratimin e Këshillit të Evropës.

Rama thotë shtetet perëndimore të cilat janë pjesë e Këshillit të Evropës me shtyrjen përpara të një raporti të tillë të Kosacev të mbushur me pretendime dhe trillime për trafik organesh e kishin humbur busullën, busullë të cilën Rama ka thënë se perëndimi e kishte gjetur kur kishte ndërhyrë në vitin 1999 për të shpëtuar Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, shkruan Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka shtuar tutje se pretendimet për trafik organesh nga krerët e UÇK-së janë një lajm i tmerrshëm i rrejshëm të cilit dhjetë vite më parë i ka dhënë këmbë Këshilli i Evropës.

Rama gjithashtu ka kërkuar që të përkrahet Rezoluta e Shqipërisë e cila kërkon një hetim shtesë për pretendimet dhe akuzat për trafik organesh. Shefi i ekzekutivit shqiptar gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Një fjalim i tillë i kreut të Qeverisë shqiptare ka nxitur reagime të shumta të anëtarëve të pranishëm në Këshillin e Evropës.

Përfaqësuesja serbe në Këshill të Evropës Elvira Kovac ka thënë se është e tronditur nga fjalimi i kryeministrit të që i tha Rama. Sipas saj, ai i ofendoi të gjithë pjesëmarrësit.

“Kam këtu 15 vjet dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë”, ka thënë Kovac.

Përvec përfaqësues serbe, ka reaguar edhe një përfaqësues i një shteti tjetër që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Iulian Bulai nga Rumania i ka thënë Edi Ramës se “është i befasuar se sa shumë e ka marrë anën e Kosovës në fjalim”, derisa në anën tjetër mbështet nismën e Ballkanit të Hapur, nismë të cilën e kundërshton Kosova.

Edhe përfaqësuesja greke, Nina Ksimati e ka quajtur si të “pa takt” fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Edi Rama ka reaguar ndaj gjithë kundërshtimeve në Këshill të Evropës, duke iu thënë atyre që të lexojnë fjalimin e tij dhe ta rilexojnë atë meqë aty do të gjejnë arsyen se pse gjendet në Këshill të Evropës.

“Besoj fortë se një prej virtyteve të institucioneve demokratike është që të jetë i përulur kur sheh nga vetvetja. Nuk i akuzova për asgjë paraardhësit tuaj, unë i kuptoj ata”, ka thënë Edi Rama në kundërpërgjigjen e tij.

“Nuk është e pataktë zonjë, të thërrasësh këtu e të kërkosh të gjithëve ju të ndihmoni institucionet ndërkombëtare që të verë në vend besueshmërinë e vetë. S’është e pataktë që të ndash thjesht fakte me ju”, ka thënë Rama në reagimin e tij ndaj përfaqësueses greke.

Gjithashtu kreu i Qeverisë shqiptare i ka dhënë përgjigje edhe përfaqësues serbe e cila ka thënë se është e tronditur nga ajo çfarë ka dëgjuar nga Edi Rama.

“Kolegia serbe është e tronditur, natyrisht për Serbinë do të duhet kohë. Do të duhet më shumë kohë se për këdo tjetër. Që ta përthith e të jetojë me këtë dhe më së fundi të bëjë njohjen e Kosovës dhe të ndërtoj bashkë me Kosovën një të ardhme të përbashkët në paqe”, ka thënë Edi Rama.

Ndaj fjalës së Edi Ramës ka reaguar edhe përfaqësuesi nga Zvicra, Damien Cottier, duke i thënë se i vjen shumë keq që Edi Rama ka vënë në pikëpyetje reputacionin e Dick Martyt.

Cottier i ka thënë Ramës se thjesht është përgatitur raport dhe s’është përgatitur një hetim penal.

“Pse kërkoni që një Asamble si kjo të ndërhyjë në procedura ligjore”, ka thënë përfaqësuesi zviceran.

Rama i është kundërpërgjigjur përfaqësuesit zviceran duke thënë se ishin marrë vesh me presidentin e Këshillit të Evropës që të mos e përmendte me emër Dick Martyn.

“Nëse ju më thoni që ajo çfarë thash këtu është një kërkesë që ju të pengoni drejtësinë apo të ndërhyni drejtësinë, ose nuk e keni kuptuar atë çfarë po them, ose qëllimisht nuk doni ta kuptoni atë çfarë po them”, ka shtuar tutje Edi Rama duke rikujtuar se aktualisht Dhomat e Specializuara s’janë duke trajtuar kurrfarë akuze për trafik organesh.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë në fund ka thënë se rajoni i Ballkanit është shumë i brishte, meqë Vladimir Putin ka ndikim në disa rajone të caktuara. Ai ka theksuar se i vetmi përjashtim janë Shqipëria dhe Kosova meqë Rusia s’ka kurrfarë ndikimi.

Asnjë koment

Comments are closed.