Raportuesja për Kosovën në PE, Cramon viziton Prizrenin

Një delegacion nga Parlamenti Evropian me në krye deputeten dhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, sot kanë vizituar Prizrenin.

Këtë delegacion e priti i pari i këtij qyteti, kryetari Mytaher Haskuka, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Me këtë rast Haskuka njoftoi Von Cramon për projektet komunale, projektin për implementimin e Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, themelimin e Zyrës për Zhvillim të Gjelbër, impiantin e ujërave të zeza etj.
Pas vizitës që i bënë Kalasë së Prizrenit dhe disa monumenteve historike, raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, kishte vizituar edhe artistin prizrenas Ethem Baymak, pikturat e të cilit ishte duke i ekspozuar në zyrat e saja në Bruksel.

“Sot kishim nderin dhe kënaqësinë që qytetin tonë e vizitoi znj. Viola von Cramon, deputete dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian (Standing Rapporteur for Kosovo), e cila ishte e shoqëruar nga këshilltari z. Paolo Bergamaschi dhe drejtori i Fondacionit Heinrich Böll Stiftung, z. Simon Ilse.

Delegacionin nga Parlamenti Evropian e pritëm së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, ku pas takimit në zyret komunale, së bashku vizituam edhe shumë monumente të trashëgimisë kulturore të qytetit tonë.

Delegacioni nga Parlamenti Evropian shprehu një interesim të lartë për qytetin tonë, trashëgiminë kulturore, bashkëjetesën, projektet e komunës sonë, si dhe sfidat e paraqitura gjatë pandemisë COVID-19.

Me këtë rast, znj. von Cramon e njoftova për projektet lidhur me ambientin, projektin për implementimin e Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, themelimin e Zyrës për Zhvillim të Gjelbër, impiantin e ujërave të zeza dhe iniciativën për të rritur zonën këmbësore në qytetin tonë, të gjitha këto projekte që janë duke u implementuar për herë të parë në Kosovë. Përveç këtyre, po ashtu biseduam edhe për sfidat dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në fund të ditës dhe pas vizitës në Kalanë e Prizrenit, znj. von Cramon kërkoi që të vizitojë artistin prizrenas Ethem Baymak, pikturat e të cilit ishte duke i ekspozuar në zyrat e saja në Bruksel. Duke falënderuar z. Baymak për mikpritjen dhe bujarinë tradicionale prizrenase, znj. von Cramon dhe ekipin e saj ftova që të vizitojnë Prizrenin gjatë festivaleve dhe që të ndajnë së paku disa ditë për të shijuar bukuritë e qytetit tonë. Si gjithmonë ajo do të jetë në mbështetje për iniciativat tona për zhvillim të gjelbër dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, shkrun kryetari Haskuka.