Njëri nga gjashtë shtetasit turq, Kahraman Demirez, të cilët ishin deportuar nga Kosova për në Turqi, në mars të këtij viti, u është drejtuar institucioneve të drejtësisë, për të kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me të cilin atij i ishte revokuar leja e qëndrimit në Kosovë.
Për të kundërshtuar një vendim të tillë, ai përmes përfaqësuesit të tij, Urim Vokshi, në maj të këtij viti, e ka paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca gjyqësore lidhur me shqyrtimin e kësaj padie, është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Administrativ.
Përfaqësuesi i Demirez, Urim Vokshi, në seancën e së premtes, ka kërkuar nga gjykata që të anulojë vendimin e marrë nga MPB-ja, për revokim të lejes së qëndrimit të tij në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), më 23 mars të këtij viti, i ka revokuar leje qëndrimin në Kosovë, shtetasit turk Karhaman Demirez, i cili punonte në institucionet arsimore “Gulistan”, vendim mbi të cilin Policia e Kosovës, më 29 mars e kishte arrestuar atë dhe më pas e kishte larguar nga Kosova për në Turqi.
Lidhur me këtë, të premten është mbajtur seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast përfaqësuesi i Demirez, Urim Vokshi tha se qëndrojnë pranë padisë duke shtuar se vendimi i atakuar nuk ofron asnjë argument se paditësi Demirez përbën rrezik për sigurinë kombëtare.
Ky vendim sipas Vokshit, mjaftohet vetëm duke iu referuar raportit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilin sipas tij, paditësi asnjëherë nuk e ka poseduar dhe nuk ka informata për përmbajtjen e tij në mënyrë që të mund të ballafaqohet me të dhe të jap, kundër argumentet e tij.
Ai tha se lidhur me pretendimin për cenim të sigurisë kombëtare, e paditura duke vepruar në mënyrë arbitrare i ka revokuar leje qëndrimin paditësit Demirez pa dhënë asnjë sqarim, ku në mënyrë të pa pritur, ai ishte larguar me forcë nga Kosova.
E paditura në këtë rast MPB, sipas paditësit Demirez, në aktin e atakuar ka deklaruar se konsideron që janë përmbushur kushtet ligjore për revokim të leje qëndrimit me çka kuptohet se ajo ka vlerësuar kërkesën e AKI-së.
“Siç vërehet nga përgjigja në padi, AKI, i ishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme me kërkesë dhe jo urdhëresë pasi që AKI-ja nuk ka fuqi ekzekutive siç është e paraparë me nenin 3 të ligjit për këtë agjenci”, tha Vokshi.
Sipas tij, në këtë procedurë e paditura në mënyrë kontradiktore arsyeton se nuk ka mundësi të vlerësojë kërkesën e AKI-së, por ka qenë e detyruar t’i përmbahet asaj.
Vokshi, para gjykatës, prezantoi dy raste të zgjidhura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilat sipas tij, argumenti kryesor qëndron në atë se një shtetas i huaj nuk mund të largohet nga shteti përkatës vetëm mbi bazën e një raporti të autoriteteve të sigurisë, por që ky raport, siç tha ai, duhet të jetë i mbështetur në prova materiale.
Kjo pasi që sipas Vokshit, në të kundërtën do t’i lejohej shtetit që termin siguri kombëtare ta interpretojë në mënyrë arbitrare e të kundërligjshme në kundërshtim me logjikën e shëndosh.
Ai kërkoi që gjykata të obligojë të paditurën që të sjell raportin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në bazë të të cilit ka vendosur si dhe të gjitha provat materiale, në të cilat ishte mbështetur vendimi i marsit të këtij viti.
Pas administrimit të provave, Vokshi kërkoi që të anulohet vendimi i MPB-së, për shkak se sipas tij, i njëjti nuk është i bazuar në asnjë provë të vetme me të cilën do të arsyetohej rrezikshmëria kombëtare që paraqiste paditësi Demirez.
E paditura MPB, nuk ishte prezent në seancën e së premtes, ndërsa në fund gjykatësja Anita Nikqi-Morina, njoftoi palën që vendimin lidhur me këtë rast do ta marrin me shkrim brenda afatit kohor të paraparë me ligj.
Ndryshe, Kahraman Demirez kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, më 7 maj 2018, me pretendimin se vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i datës 23 mars 2018, kishte pasur shkelje të dispozitave ligjore.
Sipas padisë, Demirez kishte jetuar në Republikën e Kosovës në mënyrë të ligjshme dhe kishte qenë i pajisur me leje qëndrim si shtetas i huaj, respektivisht shtetas turk, madje më 1 janar 2016, ishte pajisur me leje qëndrim të përhershëm, i cili kishte pasur vlefshmëri deri në vitin 2021.
Demirez, thuhet se kishte ushtruar veprimtarinë e tij edukativo-arsimore në institucionet arsimore “Gulistan” dhe nuk ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet të ndaluar me ligj.
Në bazë të kësaj padie thuhet se Demirez në mënyrë të papritur më 29 mars 2018, ishte ndaluar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që atij i ishte revokuar leja e qëndrimit dhe ishte lëshuar urdhër për largimin e tij me forcë.
Tutje, në padi thuhet se ai në mënyrë misterioze dhe pa procedurë ishte larguar nga Kosova.
Lidhur me vendimin për revokim të qëndrimit në këtë vend, Demirez e kishte pranuar vetëm pas shtatë ditësh, kur tani më ishte larguar.
Gjithnjë sipas paditësit, vendimi i atakuar nuk kishte përmbajtur as numër rendor, as të lëndës për identifikim, por vetëm datën e lëshimit. Ky vendim thuhet se nuk përmban as numër të protokollit e as emrin e mbiemrin e nëpunësve civilë, të cilët kanë nënshkruar në këtë vendim.
Paditësi ka parashtruar edhe arsye të tjera, duke shtuar se në qoftë se e paditura kishte poseduar një dëshmi eventuale nga institucionet e sigurisë sipas obligimit ligjor nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), prapë ka pasur për obligim të dëshmojë se mbi çfarë bazë i ka falë besimin provave të tilla që pretendojnë se paditësi ka rrezikuar sigurinë kombëtare, kur ndaj paditësit nuk është iniciuar asnjë procedurë penale nga Prokuroria e Shtetit.
Ndërsa, sipas vendimit të MPB-së të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në arsyetim thuhet se “në mbështetje të ligjit për të huajt, bazuar në dëshmitë që posedojmë nga institucionet kompetente të sigurisë, konsiderojmë se janë përmbushur kushtet ligjore për revokim të vendimit për leje qëndrim të përhershëm të datës 24 shkurt 2016, për shtetasin e huaj Kahraman Demirez”.
Ndryshe, përveç tij, në këtë rast ishin arrestuar dhe deportuar për në Turqi edhe pesë shtetas tjerë turq, që jetonin dhe vepronin në Kosovë.
Ky rast kishte zgjuar reagime të mëdha si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Lidhur me këtë, kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, është krijuar edhe një komision hetimor. /BetimipërDrejtësi