24-11-2024

Rasti “Kobra” kalon në kompetencë të Prokurorisë Speciale

Lënda e rastit të Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, i cili bashkë me gjashtë të tjerë gjendet në paraburgim nën dyshimin për vrasjen e V.C., ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Fitore Mehmeti-Sejrani, zëdhënëse e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti- Sejrani.

“Referuar kërkesës tuaj, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se rasti në fjalë tashmë ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Andaj, për informacione tjera lidhur me rastin, ju lutem drejtohuni tek kjo prokurori”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, edhe nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se rasti i Dibran Hoxhës është pranuar në PSRK.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë  thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.