23-11-2024

Reagim i KMDLNj – së: Pse të miturit ia fusin flakën qendrës korrektuese për të mitur në Lipjan?!

Sipas informatave të KMDLNj –së , disa të dënuar për vepra penale dhe atyre që iu është shqiptuar masa edukative e që janë të mitur , përsëri i kanë futur flakën njërës prej dhomave ku janë duke qëndruar e që paraprakisht kanë kaluar në një dhomë tjetër.

KMDLNJ ka kontaktuar drejtorin e QKMF në Lipjan nga i cili është informuar se për fat të mirë , përveç dëmeve materiale , nuk ka të lënduar as në mesin e të miturve e as në mesin e stafit korrektues. Nga përvoja monitoruese e KMDLNj –së del se nuk ka një program të duhur për trajtimin , rehabilitimin dhe risocializimin e personave të mitur të privuar nga liria. Përkundër përpjekjes maksimale të stafit dhe vullnetit që me të miturit të ndërtojnë një raport thuaja familjar , deri më tani kanë dështuar thuaja të gjitha përpjekjet dhe për këtë ndikojnë rrethanat si dhe qasja ndaj të të miturve të privuar nga liria.

Të miturit e privuar nga liria janë komunitet shumë i ndjeshëm dhe shumë i cenueshëm i cili kërkon dhe meriton kujdes dhe trajtim të veçantë në përputhje me moshën , përgatitjen shkollore , gjendjen ekonomike , ambientin social në të cilin janë rritur dhe janë zhvilluar dhe që kanë ndikuar në përfshirjen e tyre në aktivitete të kundërligjshme.

Është fakt i pamohueshëm se stafi aktual korrektues në QKMF në Lipjan , përkundër përpjekjeve dhe vullnetit të treguar si dhe tolerancës që e kanë dëshmuar shumë herë , nuk janë të profilizuar dhe profesionalizuar për të punuar me të mitur , sikur që veprohet në shtetet tjera . Programi për risocializim që zbatohet për të gjithë personat e privuar nga liria nuk mund të zbatohet te komuniteti i të miturve të privuar nga liria prandaj edhe kemi dështime në procesin e risocializimit të tyre, të riintegrimit në shoqëri dhe uljen e shkallës së përsëritjes së veprës – recidivizmit.

Mungesa e psikologëve dhe sidomos pedagogëve apo edukatorëve ka ndikuar shumë në dështimin e programit të risocializimit ndërsa barra ka rënë kryesisht në stafin korrektues dhe menaxhmentin e Qendrës Korrektuese për të Mitur që janë përgjegjës për sigurinë e tyre prandaj përballen me shumë probleme. Trajtimi jo i duhur i të miturve të privuar nga liria e që janë përdorues të substancave narkotike ndikon në dështimin e zbatimit të programit të risocializimit.

Mungesa e një oferte konkrete nga Shërrbimi Korrektues i Kosovës për të miturit e dënuar dhe e Gjykatave për të miturit me masë edukative krijon ndjenjën e paperspektivës për të miturit e privuar nga liria duke ua marrë motivin për sjellje të mirë për faktin që shumë pak përfitojnë nga shkurtimet e dënimit apo falja , lirimi me kusht e kjo sidomos vlen për të miturit me gjendje ekonomike të rëndë dhe ata që nuk janë shtetas të Kosovës.

Të miturit me masë edukative apo të dënuar qëndrojnë në një hapësirë me të miturat me masë edukative dhe femrat e dënuara dhe kjo , nga aspekti i zbatimit të planit të risocializimit nuk ka kuptim dhe nuk prodhon rezultate të pritura. Të miturit e dënuar apo ata me masë edukative duhet të gjithë të zhvendosen në Qendrën Korrektuese për të Mitur të tipit gjysmë të hapur që ishte përuruar vitin e kaluar dhe për çka kanë pasur premtim dhe nuk është vepruar kështu dhe ky diskriminim është dhe do të jetë burim i përhershëm i rebelimit të të miturve me masë edukative dhe atyre të dënuar për vepra penale.

Për këtë arsye, KMDLNJ kërkon nga Shërbimi Korrektues i Kosovës që në bashkëpunim me Akademinë për Siguri në Vushtrri të pranojë një numër të oficerëve korrektues që do të shkolloheshin për punë vetëm me të mitur dhe femra dhe të cilët pastaj do ta kalonin një kohë në njërën nga Qendrat Korrektuese për të Mitur dhe Femra në shtetet europiane apo SHBA ku do t’i përvetësonin shkathtësitë profesionale për të punuar me të mitur dhe femra.

Qendrës Korrektuese për të Mitur dhe Femra në Lipjan duhet t’i ndërrohet destinimi ; ose të bëhet Qendër vetëm për femra dhe këtë propozim fuqishëm e përkrahë KMDLNj –ë , ose do të bëhej qendër vetëm për të mitur të privuar nga liria e këtë fuqishëm e kundërshton KMDLNj –ë. Në të kundërtën , gjithmonë do të përballemi vetëm me pasojat , pa pasur mundësi të ndërmarrjes së masave parandaluese .

25 shkurt 2019 Shërbimi për Informim Prishtinë

Asnjë koment

Comments are closed.