Reagime të kuvendarëve opozitar në Kuvend ndaj vendimit të Haskukës për zyret e partive: S’do të vazhdojmë
Kuvendarët
Reagime të kuvendarëve opozitar në Kuvend ndaj vendimit të Haskukës për zyret e partive: S’do të vazhdojmë
Kuvendarët e opozitës kanë reaguar në fillim të mbledhjes së sotme të Kuvendit të Prizrenit, pas vendimit të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka për lirimin e zyrave në objektet publike nga partitë politike në këtë qytet, raporton Gazeta e Prizrenit.
Semir Krasniqi nga PDK, tha se nëse nuk tërhiqet vendimi nga Haskuka, atëherë nuk e sheh të arsyeshme ta vazhdojmë mbledhjen. “Nuk mund ta kuptoj se si Haskuka kërkon nga ne të miratojmë cështjet e parashtruara, ndërsa na kërkon lirimin e zyrave”, tha ai.
Fatmir Kastrati nga AAK, tha se ky është vendim skandaloz i kryetarit të Komunës, prandaj edhe ai kërkoi të tërhiqet vendimi nga Haskuka. “Nuk mund ta kuptoj se si ne që po përpiqemi t’u sigurojmë zyra shoqatave apo OJQ-ve, ndërsa veprojmë kundër vetes”, tha ai, duke treguar për gjendjen e vështirë financiare të partive.
Kastrati kujtoi se në vitet 1990 për shkak të regjimit serb, dhomat e sallonet ishin shndërruar në mjedise ku zhvilloheshin aktivitetet, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Qemal Krasniqi nga LDK, tha se ky subjekt vepron që 32 vjet dhe se ka pas zyre në Prizren në kohën e regjimit të Milosheviqit.
Ndaj një vendimi të tillë reagoi edhe Shukri Quni nga Nisma, duke thënë se kryetari duhet t’i mbroj zyrat e partitë, e jo t’i largojë me polici, pasi ato janë të popullit, i cili duhet ta di se Vetëvendosje paska marrë zyra me qera, meqenëse tash ka para kur është në pushtet, ndërsa tash u bën presion partive të tjera. “Haskuka do të kujtohet si një nga kryetarët më të dobët të Prizrenit”, tha ai, derisa kujtoi disa veprime të regjimit të Milosheviqit, që përkundër që largonte nga objektet shqiptarët punonin në shtëpi e sallone.
Edhe Sencar Karamuca nga KDTP, tha se qëndrimi i këtij subjekti është që të rishqyrtohet vendimi i Haskukës.
Ilir Baldedaj nga AAK, tha se së pasi duhet shfuqizohet një vendim paraprak i Kuvendit Komunal për këtë çështje, dhe se ai është në fuqi, prandaj kjo çështje duhet zgjidhet në gjykatë. “Vendimi i Haskukës përbën shkelje. Me 15 prill kur s’kadon afati, le të vijnë këta të pushtetit me policinë, ne do ti qerasim me kafe”, tha ai.
Në fund edhe kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj, tha se është mirë të rishikohet vendimi.
Ndërkaq, kryetari Haskuka tha se kjo është çështje e Prokurorisë. “Kam prit që t’u skadojë kontrata partive dhe ua kam dërguar njoftimin në mënyrë që në mënyrë vullnetare t’i lëshojnë zyrat, pasi Ligji i vitit 2019 e ndalon. Nuk mund ta tërheq vendimin pasi bëj shkelje, ndërsa mund ta marrim ndonjë vendim për subvencionim të partive politike”, tha ai duke kujtuar se vendimet e tij nuk janë mbi ligjin.
Ilir Gashi nga VV ndërkaq i dha përkrahje vendimit të kryetarit, duke thënë se partitë duhet shikojnë mundësinë e gjetjes së zyrave në mjedise sa më të mira private
Mbledhja është duke vazhduar me diskutimin e disa kuvendarëve. /GazetaePrizrenit.net