Reagon avokati Rexhepi: Dënimi i Baldedajt nuk mbështetet në gjendjen faktike dhe bie ndesh me dispozitat e Kodit Penal
Engjëll Rexhepi, avokati i ish- drejtorit komunal në Prizren, Ilir Baldedaj i cili u shpall fajtor nga Gjykata në Prizren, duke u dënuar me 10 muaj burgim, e ka kundërshtuar këtë vendim.
Ai ka theksuar se ky dënim bie ndesh me gjendjen faktike dhe ky vendim është nxjerrë në shkelje flagrante të dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
“Aktgjykimi i shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, me datë 02.08.2022 është vendim përmes të cilit Gjykata e ka ripërsëritur qëndrimin e saj në lidhje me fajësinë e z. Ilir Baldedaj. Ky qëndrim i Gjykatës Themelore në Prizren bie ndesh në tërësi me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit në të cilin mënyrë të qartë janë shprehur qëndrimet e Gjykatës së Apelit në lidhje me të metat të cilat janë evidentuar në lidhje me Aktgjykimin e nxjerrë në herën e parë që ka nxjerrë Gjykata Themelore në Prizren”, ka theksuar Rexhepi.
Sipas tij, ndonëse vërejtjet dhe sugjerimet e Gjykatës së Apelit kanë qenë shumë të qarta në lidhje me të metat e Aktgjykimit të parë të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prizren, e njëjta Gjykatë edhe në rigjykim, shton ai ka mbajtur qëndrimet të njëjtë në lidhje me fajësinë e Ilir Baldedaj.
“Vendimi i Gjykatës për shpalljen fajtor të z. Ilir Baldedaj nuk mbështetet në gjendjen faktike të vërtetuar gjatë procesit gjyqësor dhe ky vendim është nxjerrë në shkelje flagrante të dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale”, ka theksuar avokati i Baldedajt.
Arsyetimi i avokatit Rexhepi, se pse vendimi i Gjykatës në Prizren bie ndesh me Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale:
Kjo për shkak se me provat e nxjerra dhe të administruara në shqyrtimin gjyqësor është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të saktë se me veprimet/mosveprimet eventuale të Akuzuarit nuk është realizuar figura e veprës penale Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga Neni 422 i Kodit Penal të Kosovës, sepse : (i) i Akuzuari nuk ka bërë shpërndarjen e Laptopëve dhe Çantave të Laptopëve, por këtë e ka bërë Komisioni për Dorëzimin e Laptopëve dhe Çantave të Laptopëve; (ii) i Akuzuari nuk ka përpiluar Vërtetimin mbi Pranimin e “Llaptopit” të nënshkruar nga asambleistët, por këtë e ka bërë Komisioni për Dorëzimin e Laptopëve dhe Çantave të Laptopëve; (iii) i Akuzuari nuk ka qenë i përfshirë në procedurën e prokurimit të filluar me Konkluzionin e Kryetarit të Komunës së Prizrenit Nr. 01/06-62836, të datës 07.04.2015, ngase ky Konkluzion i Kryetari të Komunës nuk e autorizon Drejtorinë të cilën e ka udhëhequr i Akuzuari që ta ndëmarrë ndonjë veprim; (iv) i Akuzuari as nuk i ka draftuar kushtet e tenderit, as nuk ka qenë menaxher i kontratës, as nuk ka urdhëruar lejimin e pagesës në lartësi prej 19.350 Eurove për konsorciumin “Lisasoft Office” Sh.P.K. & “Antika 01”; (v) i Akuzuari nuk ka qenë Zyrtar Kryesor Administrativ në kohën e pretenduar të kryerjes së veprës penale, për shkak se sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë për Komunën Kryetari i Komunës është Zyrtar Kryesor Administrativ; (vi) në kohën e paraqitjes së Kallëzimit Penal dhe Aktakuzës pasuritë jofinanciare (Laptopët dhe Çantave të Laptopëve) të Komunës së Prizrenit nuk janë dëmtuar sepse ato janë zhvlerësuar, kjo sipas ekspertizës financiare të ekspertit z. Vehbi Imeri; (vii) të gjithë llaptopët dhe çantat e llaptopëve i janë dorëzuar zyrtarëve komunal pranë Komunës së Prizrenit; (viii) pagesa është lejuar nga Komisioni për Dorëzimin e Llaptopëve.
“Është e pabesueshme dhe logjikisht e pamundur të kuptohet se si Gjykata, ndonëse ka pasur vërejtjet e Gjykatës së Apelit dhe gjendjen faktike dhe juridike ashtu siç është theksuar më sipër, pa pasur asnjë provë të vetme për ta inkriminuar z. Ilir Baldedaj ka vendosur për ta shpallur fajtor dhe për ta dënuar z. Ilir Baldedaj” ka theksuar ai.
Ai ja paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi që ta marrin vendimin nga Gjykata Themelore në Prizren.
Ndryshe, Gjykata e Prizrenit e dënoi ish-drejtorin e Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj nën akuzat për keqpërdorim të detyrës.
Baldedajt iu shqiptuan 10 muaj burgim efektiv si dhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë ose shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
I njëjti u obligua që në emër të paushallit gjyqësor dhe mbrojtjes së viktimave të paguajë shumën 250 euro.