Reflektimi i “Dokufestit”
Zyrat e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” gjatë këtyre ditëve janë me përplot të rinj.
Bashkë me drejtuesit e festivalit ata po punojnë në të gjitha detajet, që kanë të bëjnë me organizimin e edicionit të 17-të të “DokuFestit”.
Angazhime ka duke filluar nga planet për rregullimin e kinemave dhe hapësirave përcjellëse deri tek akomodimi i mysafirëve. Në të njëjtën kohë si risi paralajmërohet dukja e festivalit dhe vetë qytetit, ndonëse nuk shpalosen informata në këtë drejtim, për ta ruajtur faktorin e befasisë për ditët e festivalit, shkruan sot Koha Ditore.
“Jemi duke punuar për përgatitjen e edicionit të 17-të të festivalit. Kanë mbetur më pak se dy javë deri në fillimin e festivalit”, ka thënë drejtoresha e festivalit, Nita Deda.
Koha për reflektim
Tashmë organizatorët kanë njoftuar që tema e “Reflektimit” do të theksohet në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”, që fillon më 3 gusht dhe mbyllet më 11 gusht, në kryeqytetin historik të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe pritet që Prizrenit të shndërrohet në kryeqytetin kulturor, shkaku i aktiviteteve të shumta në “DokuFest”, që kanë të bëjnë me projektimin e rreth 260 filmave, mbajtjen e punëtorive e master klasave me filmbërësit nga vende të ndryshme të botës, debateve e deri te programi me performanca muzikore.
Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, ka bërë të ditur se tema e “Reflektimit” sivjet do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit, si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore