Refuzohet shumica e ankesave për bursa studentore në Prizren
Nga 22 ankesat për bursa studentore në komunën e Prizrenit, vetëm dy janë miratuar. Kështu është njoftuar nga Komuna e Prizrenit.
‘’Pas shqyrtimit të të gjitha ankesave rreth ndarjes së bursave për studentët nga komuna e Prizrenit për vitin akademik 2018/19, të cilat janë dorëzuar brenda afatit kohor prej 5 ditësh që nga dita e publikimit të listës së përfituesve, komisioni për shqyrtimin e ankesave ka marrë vendim për miratimin apo refuzimin e tyre’’, thuhet në njoftim.
Ky komision ka pranuar 22 ankesa, prej të cilave 2 janë miratuar dhe 20 të tjera janë refuzuar duke u vlerësuar si ankesa të pabaza.
‘’Shqyrtimi i ankesave është bërë në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs dhe rishqyrtimit të të gjitha dokumentacioneve të secilës ankesë’’, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, në debatin e fundit me qytetarë të kryetarit të Komunës së Prizrenit, një javë më parë, studentja Anesa Berisha, ia kujtoi Mytaher Haskukës, premtimin për transparencë që siç tha nuk është përmbushur në rastin e ndarjes së bursave, pasi nuk është publikuar numri i të gjithë aplikuesve, nota mesatare dhe disa kritere tjera, për ta bërë sa më transparente. “Pse edhe pas skadimit të afatit, nuk ka ndonjë njoftim për ankesat”, ka pyetur ajo.
Në përgjigjen që dha Haskuka, ndërkaq tha se për disa fakultete ka pasur numër më të madh të bursave, varësisht nga profili i studimeve.
Studentët përfitues të bursës komunale duhet t’i sjellin kopjet e letërnjoftimit dhe kartelën e xhirollogarisë bankare më së largu deri më datën 13.08.2019./GazetaePrizrenit.net
Përgjigjet për ankesat e miratuara apo të refuzuara nga komisioni për shqyrtimin e ankesave i gjeni këtu:
https://kk.rks-gov.net/…/pergjigjet-e-komisionit-per-ankesa…