12-12-2024

Kush do të bëjë koalicione e kush do të hyjë vetë në zgjedhje?

Partitë politike në Kosovë kanë filluar të bëjnë kalkulimet e tyre për koalicione në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të caktohen pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht

Por, asnjëra prej tyre nuk ka treguar se me kë do të bëjnë koalicion dhe nëse do të ketë bashkim të forcave para se të mbahen zgjedhjet.

Analistë të çështjeve politike japin mendime të ndryshme rreth krijimit të koalicioneve parazgjedhore si formë e përgatitjes për të marrë pushtetin.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të shpallen mund të ketë koalicione parazgjedhore, por jo të partive të mëdha politike.

“Pres që ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’ (LDK), ‘Partia Demokratike e Kosovës’ (PDK) dhe ‘Vetëvendosje’(VV) të shkojnë vetëm në zgjedhje, ndërkohë që nuk e përjashtoj mundësinë e një koalicioni ndërmjet ‘Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës’ (AAK), ‘Partisë Socialdemokrate’ (PSD) dhe ‘Aleanca Kosovare e Re’ (AKR), ndërkaq, partia ‘Nisma’ nuk jam i sigurt se mund t’ju bashkohet këtyre të fundit, por nuk përjashtohet mundësia t’i bashkohet edhe PDK-së”, thekson Mushkolaj.

Në koalicionet e mundshme ndërmjet partive politike, thotë Mushkolaj, hyn në kombinim edhe presioni ndërkombëtar për të krijuar një koalicion i cili mund të shtyjë përpara procese të cilat nuk janë arritur të bëhen deri më tani.

Ai shton se zgjedhjet në Kosovë prodhojnë edhe koalicione të papritura në kuptimin, siç thotë ai, shpesh herë deri më tani ka ndodhur që në koalicion të hyjnë partitë të cilat paraprakisht qytetarët nuk e kanë pasur idenë se mund të bëhen bashkë.

Ndërkaq, sa i përket koalicioneve pas-zgjedhore, Mushkolaj thotë se është vështirë të parashikohet se kush me kënd mund të bëjë koalicion, pasi që sipas tij, ajo varet nga rezultati i zgjedhjeve.

“Sidomos në dy mandatet qeverisëse vendi ka mbetur peng i këtyre koalicioneve që do të duhej të kryenin punë të mëdha, por që realisht janë ndal në gjysmë dhe nuk kanë kryer këto punë të mëdha që është dashur të kryhen. Janë disa tema në tavolinë që partitë politike duhet t’i prekin dhe është sfidë për të gjithë që do ta marrin qeverisjen që t’i çojnë përpara në radhë të parë në aspektin politik, dialogu me Serbinë i cili duhet të përmbyllet në një afat optimal”, thotë Mushkolaj.

Një koalicion të mundshëm të partive të mëdha politike në zgjedhjet parlamentare që mund të mbahen këtë vit në Kosovë e parasheh analisti i çështjeve politike Taulant Kryeziu.

“Ende mbetet për t’u qartësuar, por nga ajo çka kam parë unë dhe nëse merren për bazë qëndrimet që kanë pas në procesin e dialogut, ka një afërsi në këtë pikë në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes. Për partitë tjera ne kemi parë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e cila me disa qëndrime dhe deklarime thotë se do të jetë e vetme në zgjedhje, por deri në momentin e fundit asnjërës nga partitë politike të cilat kanë qenë në pushtet nuk i dihet se si do të vendosin, a do të hyjnë të vetme apo do të tentojnë të ndërtojnë koalicione”, thotë Kryeziu.

Deri më tani, një pretendim për koalicion ka shfaqur Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për koordinim të forcave.

Ndërkaq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq, dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje, por që sipas tij, ky qëndrim mund të ndryshojë dhe varet se si veprojnë partitë tjera.

Disa nga anëtarë të PDK-së janë deklaruar se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhje, ndërsa kryetari i AAK-së Ramush Haradianaj është deklaruar se ndjejnë një afërsi me partitë Nisma, PSD-në, AKR-në dhe ndonjë parti tjetër.

Asnjë koment

Comments are closed.