25-11-2024

Remzi Shala: Me dy gjaqe i përgjigjem atij nëse ia kam mbyt babanë, por ai do më përgjigjet me Kanun të Lekës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, i akuzuari për krimet lufte, Remzi Shala, ka mohuar akuzën për vrasjen e Haxhi Përteshit në qershor të vitit 1998, duke thënë se djalit të viktimës, Agron Përteshit, do t’i përgjigjej me “dy gjaqe” në rast se do ia kishte mbytur babanë, por ai do t’i përgjigjej më pas me Kanun. 

Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë Haxhi Përteshin nga shtëpia e tij dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë me dy gjaqe ju pergjigjna atij në ia paqa myt babën, por ai ka me mu përgjigj me Kanun të Lekës, mbaje në mend që po tham. Unë nuk ia kam myt babën atina, as s’ia kam marrë…që 4 vjet po rri në burg palidhje unë”, ka thënë i akuzuari Shala në seancën e së premtes.

Paraprakisht, Shala ka deklaruar se komandant Guri në vitin 2018, ka dhënë deklaratë për këtë rast dhe se të njëjtën ditë ishte takuar me të, por që për vrasjen e tani të ndjerit Përteshi, i kishte treguar krejt diçka tjetër nga ajo që kishte deklaruar në gjykatë.

Shala ka deklaruar se komandant Guri i kishte treguar se në regjistrin e spiunëve kishte qenë emri i Xhemajli Elshanit dhe Haxhi Përteshit.

Tutje, ai tha se i njëjti i kishte treguar që Elshani kishte kërkuar nga komandant Skenderi që ta largojë nga lista e spiunëve.

“Xhemajliu i ka thënë se kanë punuar bashkë në Suharekë dhe a ka mundësi me shpëtu atë, e për Haxhi Perteshin e marrin kur dojnë, se është i gatshëm me punua për UÇK dhe se deri sa ka qenë në burg në Gjermani, ka vra njerëz dhe se nuk ka problem të vret prapë. Po ashtu, i ka thënë se e bëjmë një marrëveshje ti vetëm shpëtom mua e Haxhi Perteshin ose shkojmë e marrim atje ose e sjelli unë në shtëpi”, ka thënë i akuzuari.

Shala tha se Guri i kishte treguar se si pjestarë të UÇK-së kishin shkuar në shtëpinë e tani të ndjerit dhe se të njëjtin e kanë dërguar në Malishevë.

“Guri, Ismet Jashari, Sejdi Përteshi, Xhemajli Elshani dhe Skenderi komandanti i Malishevës me 10 ushtarë bëhen 15 veta dhe shkojnë e marrin Haxhi Përteshin dhe e vendosin në kerr të Bajram Qatanit me Lladë më duket, nuk e di ngjyrën dhe shkojnë së bashku në Malishevë. S’kam lidhje as s’e kam marrë as s’e kam vra, ata mes vete kanë pasur telashe”, ka thënë Shala.

I akuzuari ka deklaruar se Qatani, Sejdiu dhe Elshani, e kanë marrë në pyetje Përteshin dhe se në momentin kur i ndjeri është pyetur se a e kishte vrarë babanë e Bajram Qatanit, i njëjti sipas tij kishte pësuar infarkt dhe ka ndërruar jetë.

Ai shtoi se tani të ndjerin më pas e kanë dërguar në fshatin Duhël dhe se Komandant Guri iu kishte thënë që për atë që kishte ndodhur të mos i tregonin askujt.

Në fund, i akuzuari Shala ka thënë se tani të ndjerin nuk e ka marrë as s’e ka vrarë, por që kjo ka ndodhur si pasojë e konflikteve që kishte pasur Haxhi Përteshi me Bajram Qatanin.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi tha se në seancën e radhës do të ftohen dëshmitarët Xhemajli Elshani dhe Sadri Përteshi, e që të njëjtit do të ballafqohen me të akuzuarin Remzi Shala.

Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar të mbahen më 19 dhjetor 2022 dhe 20 janar 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.