Replikë me një mik akademik: Ja pse na duhen zgjedhjet në Kosovë!
Na duhen, na duhen për të parë sesi bëhen fushatat pa tallje e fyerje, por me etikë e dinjitet. Na duhen fort bile, për të shikuar sesi bëhen votimet ditën e zgjedhjeve, si një festë popullore. Na duhen që të na plasin sytë, kur mësojmë sesi numërohen votat dhe tabulohet rezultati për tre orë.
Na duhen, edhe për të mësuar sesi pritet fitorja me qetësi dhe humbja me dinjitet. Na duhen që ç’ke më të, që t’i vëmë gishtin kokës nga qeveritë, politika, media, deri te qytetarët e thjeshtë, që të kuptojmë një herë e mirë se institucionet demokratike kanë si parim bazë zgjedhjet legjitime.
Na duhen, aq shumë, deri në turpërim, kur kthejmë kokën pas e shohim se çfarë masakre kemi bërë me zgjedhjet tona të tridhjetë vitet e tranzicion pseudo-demokratik. Të skuqemi deri në veshë për talljen që kemi dëshmuar me institucionin e shenjtë të votës.
Na duhen ore na duhen që ç’ke më të, për të mësuar para së gjithash nga vëllezërit tanë Kosovarë, përpara se të mësojmë nga bota e qytetëruar. Na duhen për të parë e kuptuar se sa i dëmshëm dhe neveritshëm është autoritarizmi i korruptuar; patriotizmi i abuzuar; popullizmi vulgar; nepotizmi i kancerogjen; inkriminimi deri në palcë; diletantizmi në çdo qelizë; oratoria prolikse dhe pa ide; idetë e zbrazura pa argumente e kulturë; premtimet e mbuluara nga gënjeshtrat propagandistike; propaganda e blerë dhe e shitur me mundin e njerëzve; njerëzit e rropatur e të nëpërkëmbur paturpësisht që ikin nga sytë këmbët, për të mos u kthyer më kurrë në tokën e tyre atërore…
Si nuk na duhen zgjedhjet në Kosovë o miku im, akademik i nderuar! Na duhen ore, na duhen shumë, na duhen fort, na duhen për sot, për nesër e për gjithmonë.