23-11-2024

Reprizohen fyerjet në Kuvend, asamblisti Avdaj i sjell abetare “dhuratë” kolegut Berisha  

Një gjuhë me përmbajtje fyese, që ishte karakteristikë e seancës së kaluar të Kuvendit Komunal të Prizrenit, është reprizuar edhe në seancën e sotme të organit më të rëndësishëm komunal, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Retorika e kuvendarëve prizrenas, që pas Kuvendit në formë ironie është shpërndarë edhe nëpër rrjete sociale, duke marrë komente të shumta, u shfaq sërish, megjithëse kësaj radhe pati thirrje për ta shmangur një gjë të tillë.

Fillimisht kuvendari i PDK-së, Bardh Avdaj, duke ju referuar një fjalimi  të shefit të grupit të Nismës, Pranverim Berishës në seancën e kaluar,  tha se është ndier i fyer nga fjalimi i tij, pasi në raportin për arsimin ishte përmendur edhe një familjar i Avdajt.

Fotografia e Bardhi Avdaj

Më pas ai tha se i vjen keq që Pranverim Berisha, përkundër moshës që ka nuk di ta lidhë as një fjalë. Avdaj më pas e ka quajtur analfabet kolegun nga Nisma, dhe nga foltorja tha se kishte sjellë një dhuratë për të, derisa nga qesja nxori një Abetare,  të cilën tha se po ia jepte në shenjë të zhdukjes se analfabetizmit.

Ndërkaq, për fjalimet e kësaj natyre të përcjella edhe me fyerje në mes të anëtarëve të Kuvendit reaguan dy anëtarë tjerë të këtij organi.

Shukri Quni nga PDK, tha se Kuvendi nuk është për çështje personale , nuk duhet shndërruar në cirk, andaj  duhet lënë këto gjëra, për t’u marrë me çështje të qytetarëve.

Kuvendarja, Agnesa Sinanaj nga AAK, derisa kritikoi fjalimin e Avdajt, tha se simbolika e dhurimit të një libri është domethënëse, por paraprakisht një libër i dhuruar duhet të jetë lexuar nga dhuruesi i saj./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.