27-07-2024

Revista “Qëllimi” një fanar ndriçues në errësirën mediale (foto)

Mbyllja e mediumeve informative në gjuhën shqipe në Kosovë, që nisi në korrik të vitit 1990, përfshirë edhe redaksitë nëpër radiot lokale shkaktoi zbrazëtirë sa i përket informimit, në një kohë kur për shkak të regjimit serb, jeta po vështirësohej në të gjitha fushat.

Përkundër vështirësive të shumta politike dhe financiare, rinia shqiptare në Prizren nuk ndenji duarkryq. Forumi Rinor i LDK-së mori iniciativën për botimin e një reviste e cila u pagëzua me emrin ”Qëllimi”.

Pas kontaktimit të bashkëpunëtorëve për mbledhjen e materialeve për shkrime, sigurimin e mjeteve financiare,  gjetjen e shtypshkronjës për botim dhe të shumë sfidave të tjera, me 5 prill 1993, doli numri i parë i “Qëllimit”, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Vet titulli tregonte më shumë se çdo sqarim tjetër se çfarë synohej përmes saj, në një kohë, kur ndaj popullatës, e sidomos të rinjve bëhej presion i madh për ta braktisur Kosovën, duke e kërkuar mbijetesën, jashtë saj.

Revista “Qëllimi” filloi të botohej jo vetëm si një mundësi informimi për aktivitetet partiake e kulturore, por më tepër edhe si një mision për të përkrahur funksionimin e institucioneve paralele shqiptare në rajonin e Prizrenit, që kishin për qëllim pavarësimin e Kosovës.

Përmes saj synohej një informim sa më i drejtë, jo vetëm i qytetarëve të Prizrenit, por edhe më gjerë, për ngjarjet të cilat zhvilloheshin atë kohë,  jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë, me theks të veçantë të aktiviteteve rinore.

Këshilli i parë redaktues përbëhej nga katër anëtarë: Islam Bajrami (kryetar), Florie Çoçaj, Shemsedin Thaçi dhe Nue Oroshi. Më vonë ai u zgjerua edhe disa nga anëtarët tjerë ishin edhe Qazim Thaçi, Fikret Ramaj, Albatros Rexhaj, Safet Kabashaj, Musa Bushrani, Qerim Mamusha, Besim Kokollari, Rrok Prenqi, Lulzim Tolaj, etj.

Shpërndarja e revistës u pa si nismë e qëlluar, duke u përhapur shpejt në mesin e lexuesve të etur për informacione, tek të cilët edhe gjeti mbështetjen. Ajo u bë pjesë e shumë familjeve dhe të ndërmarrjeve afariste shqiptare, duke shërbyer si burim informacioni nga komunat e rajonit të Prizrenit, përfshirë Suharekën, Rahovecin, Malishevën dhe Dragashin.

Përkushtimi i anëtarëve të redaksisë, bëri që në revistë të përfshihen shumë tema, ku përveç shkrimeve rreth situatës dhe ngjarjeve e masave represive ndaj shqiptarëve dhe përpjekjeve të tyre për mbijetesën e shkollave-shtëpi,  u botuan edhe shkrime, opinione e  intervista me përfaqësues të rëndësishëm politik të asaj kohe, duke i kushtuar hapësirë shkrimeve  për gjeneratën  e re. Përpjekjet për kreativitet ishin të dukshme, ndërsa shtoheshin edhe rubrika të reja.

Krahas shkrimeve, kishte edhe poezi. Faqet ishin të ilustruara edhe me fotografi e ndonjë karikaturë. Numri i bashkëpunëtorëve të jashtëm rritej vazhdimisht. Ndër ta do përmendur edhe profesorët e Shkollës së Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”: Mehmet Topalli e Abdullah Zymberi (tashmë të ndjerë),  Eqrem Kryeziu, etj. Kontribut po ashtu dhanë edhe  Edita Tahiri,  Hysni Hoxha, Xhafer Kabashi e Muhamet Shukriu (dy të fundit tashmë të ndjerë).

Me shkrime gjithashtu kanë kontribuuar edhe: Prof. Milazim Krasniqi, Naim Jerliu e Ilir Salihu, nga Prishtina, pastaj Rami Berisha, Vllaznim Bytyqi, Fadil Kryeziu, Ramush Rushiti, Bashkim Kajdomçaj (sporti), pastaj profesorët: Hasan Hamëzbalaj, Enver Sulaj e Skënder Berisha me poezi, Rexhep Morina, Orhan Gashi, Sedat Bajrami nga Mushnikova, e shumë të tjerë.

Lekturën  e bënte Sabri Bresa, profesor i gjimnazit, ndërsa edhe anës grafike të revistës iu kushtua një kujdes meritor nga Tahir Hoxha dhe firma e tij “Orbita”.

Mbështetja financiare për botimin e revistës ka qenë nga nëndegët e FR të LDK-së, ndërsa më vonë filloi edhe një përkrahje tjetër përmes firmave shqiptare,  të cilën e organizoi Liman Asllani nga “Limit”, duke ua dërguar atyre si kompensim disa ekzemplar të revistës.

Sfidë për anëtarët e “Qëllimit” përbënte printimi i revistës, të cilën e bënte shtypshkronja “Berati”, që për shkak të rrethanave disa herë kishte punuar gjatë natës. Revista shihej me sy të keq nga regjimi, ndërsa kjo përbënte sfidë për ekipin drejtues. Pas tre numrave, policia e kishte bastisur shtypshkronjën “Berati” dhe për këtë botimi ishte bërë në Prishtinë. Më pas, me hapjen e shtypshkronjës “Grafik Impex” nga Mehmet Thaçi, shtypja ishte bërë këtu, e disa numra edhe në “Siprint”. Për shkak të kësaj ka pasur ftesa për paraqitje në organet policore, në të ashtuquajturat “biseda informative” të kryetarit të redaksisë. Kjo kishte imponuar nevojën për ndërrimin e shpeshtë të këshillit redaktues.

Disa gazetarë aktual, hapat e parë i kanë marrë pikërisht në revistën “Qëllimi” që deri ku u botua në vitin 1998, nxori 37 numra.  Kjo la gjurmë të një fanari ndriçues në errësirën mediale, dekadën e fundshekullit XX në rajonin e Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.