24 vjet nga botimi i revistës “Sporti” në Prizren, që filloi rrugëtimin në një kohë të vështirë për Kosovën, kur edhe sporti përpiqej për mbijetesë, për t’i dhënë një mundësi rinisë së këtushme, që kishte mbetur pa kurrfarë perspektive shkaku i rrethanave tashmë të njohura, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”
“Lidhja e Sporteve të Prizrenit, prioritet ka pasur riorganizimin e organizatave sportive dhe vazhdimin e aktiviteteve të tyre”, kështu është shkruar në artikullin e parë të revistës “Sporti” e cila filloi të botohet në shtator 1994.
Kjo e përkohshme filloi botimin si nevojë e informimit të dashamirëve për sportin në komunat e rajonit të Prizrenit, që në atë kohë lirisht mund të konstatojmë se nuk ishin të pakta.
Botues ishte Departamenti i Shoqatës Artistike “Rinia”, ndërsa redaksinë e përbënin kryesisht veprimtarë sportiv. Anëtarë të saj ishin: Bajram Duja, Vllaznin Bytyqi, Bashkim Gashi, Qazim Morina dhe Lulzim Ibri, kryeredaktor.
Botuesi dhe redaksia në fillim nuk ishin të vetëdijshëm për jehonën që do ta bënte botimi i kësaj reviste dhe përkrahjen që do të haste. Shkrimet e botuara u pëlqyen nga lexuesit dhe “Sporti” brenda një kohe të shkurtër u bë popullor.
Përvoja në sport e anëtarëve të redaksisë mundësoi që me lehtësi të përcaktoheshin temat për secilin numër të revistës. Përveç shkrimeve aktuale u botuan edhe intervista me veteranë dhe sportist kulminantë, si dhe duke ku lënë vend gjithmonë shkrimeve për gjenerata e reja.
“Sporti” atëkohë ka qenë bashkorganizatore e ceremonisë për zgjedhjen e sportistëve të vitit, në kuadër të institucioneve paralele të Kosovë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”
Përveç shkrimeve, faqet ishin të ilustruara edhe me fotografi, të cilat kishin lidhje kuptimore me artikullin. Shumica e fotografive ishin realizuar nga Enis Gashi, fotoreporter. Numri i bashkëpunëtorëve të jashtëm ishte i madh. Këta mbulonin ngjarje sportive me informata burimore nga vendbanimet e tyre.
Anës grafike të revistë iu kushtua kujdes meritor, në mënyrë që e njëjta të jetë funksionale. Kontribut të madh dha Tahir Hoxha, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen grafike.
I vetmi burim financiar ishin reklamat. Orvatja për avancim të marketingut u tregu e suksesshme. Të gjitha sfidat tejkaloheshin në saje të entuziazmit të jashtëzakonshëm.
Revista sporti përmban një nismë të realizuar dhe nismat e tilla, gjithmonë kanë vend të merituar./GazetaePrizrenit.net/