Komuna e Prizrenit ka intervenuar për riparimin e Urës së Kaltër, që njihet edhe si “Ura e dashurisë”, që ndodhet afër qendrës në ‘shatërvan’ të Prizrenit, por si duket ngjyra e saj është vënë, siç thotë populli “vetëm sa për të kryer punë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Tashmë janë rivendosur pllaka të reja në vend të atyre të dëmtuarave në shtresën e sipërme të urës. Po ashtu është bërë edhe ngjyrosja e pjesëve anësore metalike të saj.
Në një shkrim në profilin e tij në facebook, kryetari Mytaher Haskuka ka premtuar mirëmbajtjen e të gjitha urave, përfshirë edhe sigurimin e ndriçimit për to.
E para tre muajsh, portali “GazetaePrizrenit.net” pasi ka paraqit gjendjen e urës së dëmtuar, përmes një shkrimi ka rekomanduar intervenimin e komunës edhe për ngjyrosjen e pjesëve anësore.
Gazeta po ashtu ka shkruar se për “dorën e shtetit” apo të ndonjë organizate joqeveritare, ka nevojë edhe pjesa anësore metalike, duke propozuar që të bëhet ndonjë pikturim, me motive të dashurisë, pasi që edhe ura, tashmë i dedikohet kësaj ndjenje njerëzore. Kjo ende nuk është bërë.
Ndërkaq, edhe pse ura është ngjyrosur, ngjyra e vënë është joadekuate, një nuancë shumë e theksuar që ta vret syrin dhe që dallon nga ajo e mëparshmja.
Kjo për shkak se në këtë vend bëhen foto të shumta, nga qifte të reja, të cilat edhe shpërndahen nëpër rrjete sociale. Kësisoj pamja e re përcillet nëpër imazhet e shumta të shkrepura, në një qytet si Prizreni, që vlerësohet “me shije”.
Pra assesi nuk është qëllimi vetëm për të bërë diçka, por për ta bërë mirë! /GazetaePrizrenit.net/
Në linkun e mëposhtëm mund ta gjeni shkrimin e mëparshëm për gjendjen e “Urës së kaltër” në Prizren.
https://gazetaeprizrenit.net/2018/05/30/ura-e-dashurise-ne-prizren-do-nje-riparim/