Rizgjedhja si kryetar i AAK-së, deklarohet Haradinaj

Ramush Haradinaj ka falënderuar delegatët e Kuvendit të Nëntë Zgjedhor të AAK-së pas marrjes së besimit edhe për katër vjet në krye të kësaj partie.

Ai ka shkruar në Facebook se në kuvend u morën vendime shumë të rëndësishme me efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike, jo vetëm të Aleancës.

Postimi i plotë:

Delegatë të Kuvendit të IX Zgjedhor të AAK-së. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe votën plebishitare që ta udhëheq Aleancën edhe për katër vitet e ardhshme.

I lumtur që në këtë kuvend, u morën disa vendime shumë të rëndësishme që do të kenë efekt të jashtëzakonshëm në jetën politike, jo vetëm të Aleancës.

Asociacioni i komunave të Aleancës, depërtimi i organizimit tonë në çdo vendbanim të Kosovës dhe trupat e ekspertëve në fushat më të rëndësishme, janë përgjigja më e mirë e Aleancës ndaj oportunistëve dhe popullistëve në skenën politike të këtij vendi.

Jam jashtëzakonisht i kënaqur me frymën e unitetit që sot e pashë në Kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleancë, na priftë e mbara!