13-12-2024

Rrahja në Rahovec, i riu dyshohet se sulmoi fizikisht 54-vjeçarin, përfundon në ndalim

Një përleshje fizike ka ndodhur në fshatin Kramovik të Rahovecit, ku është arrestuar një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë lidhur me këtë rast është Lulzim Kelmendi, 22-vjeçari, i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti verbal mes palëve, ku 22-vjeçari ka eskaluar më pas në dhunë fizike ndaj 54-vjeçarit me të cilin u kap, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.