25-04-2024

Rrahje mes klubeve të basketbollit, Prokuroria e Prizrenit ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orë ndaj disa personave

Është mbajtur takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive. Qëllimi i takimit ishte adresimi i ngjarjes së fundit në ndeshjen e basketbollit, mes klubeve ‘KB Ponte’ nga Prizreni dhe ‘KB Peja’.

Në këtë takim u njoftua se Prokuroria e Prizrenit, ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orë ndaj disa personave.

“Rastet e dhunës në sport janë çështje që Këshilli i trajton me seriozitetin më të lartë. Nga njoftimi i rastit të ndodhur në Prizren, Këshilli ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e plotë të rastit e cila ka njoftuar se tashmë një gjë e tillë ka filluar dhe deri më tani, ndaj disa personave, Prokuria e Prizrenit, ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orë”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Policia e Kosovës dhe autoritetet tjera të sigurisë poashtu kanë njoftuar se janë duke bërë verifikimin e informatave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë përmes intervistimeve dhe mbledhjes së provave.

Në kuadër të takimit të jashtëzakonshëm anëtarët e Këshillit kanë pranuar inçizime shtesë të cilat tashmë janë proceduar në Prokurori. Më tutje Këshilli do të përcjellë rastin në vazhdimësi deri në zbardhjen e tij.

Këshilli po ashtu i dha mbështetje reagimit të Federatës së Basketbollit, në adresimin e përgjegjësisë disiplinore dhe organizative ndaj palëve të përfshira në këtë rast.

Po ashtu, javën e kaluar Këshilli ka mbajtur një takim për të adresuar shqetësimet e fundit lidhur me kurdisjet e mundshme në ndeshjet e futbollit. Kurdisjet paraqesin problem serioz dhe të gjitha pretendimet duhet të mbështeten në fakte dhe trajtimi i secilit rast duhet të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi.

Asnjë koment

Comments are closed.