22-11-2024

‘Rrenacak milet, rrejnë gjithë kohën, rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit’

Nga Edison Ypi

Rrejnë kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pijnë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Madje rrejnë edhe kur rrejnë. Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do rrejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk rrejnë as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh. Rrejnë pa u menduar.

Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejnë kot. Rrejnë me instinkt. Rrejnë pa e ditur pse rrejnë. Rrejnë sepse u duket se duhet të rrejnë. Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Duke rrejtur hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk rrejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrena e këtij mileti është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta helmojë. Rrejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejnë pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.

Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat, kongreset gjithashtu rrejnë, mbledhjet rrejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse rrejnë dhe rrehen. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejnë spiunat. Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë.

Rrejnë opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot kurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.

E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga të tjera rrena. Njerëz që rrejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të punojnë, nuk mund të përparojnë. / KultPlus.com/

Asnjë koment

Comments are closed.