15-06-2024

Rrënimi i një pjese të Abi Çarshia-“U bë me qëllime politike”

Në një konferencë për media, ata kanë thënë se rrënimi i kësaj pjese ka qëllime politike dhe është bërë në mënyrë të paligjshme pasi që sipas tyre ajo pjesë e “Abi Çarshias” ka pas leje për veprimtari, shkruan Gazeta Insajderi.

“Njerëzit që vijnë në mënyrë kauboje duke keqpërdorur ligjin dhe duke manipuluar me media duke pretenduar se është pronë publike, ajo pronë është private, nëse ata do të na tregonin dhe thonin se ajo pronë është publike ne do ta rinonim vet”, ka thënë një zyrtar për media i “Abi Çarshia”.

Po ashtu ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj Komunës së Prizrenit, duke e quajtur skandal një pjesë të rrënimit të objektit të “Abi Çarshias”.

Par dy dite Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka nisur një aksion për rrënimin e një pjese pa leje të objektit të qendrës tregtare “Abi Çarshia”.

Inspektorati ka pasur aksion për rrënimin e objektit të njëjtë edhe në muajin gusht të vitit të kaluar, kur objekti ka qenë në ndërtim e sipër.

Por pas ndërhyrjes, me vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektorati është detyruar të mos merr asnjë veprim derisa të bëhet revidimi i lejes nga ana e investitorit.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka mbajtur një konferencë për media lidhur me situatën që është krijuar në këtë qendër tregtare.

Haskuka ka thënë se ata do të vazhdojnë të punojnë sipas ligjeve derisa akuzon se “Abi Çarshia” tash e një kohë ka qenë e informuar lidhur me rrënimin e asaj pjese.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë sipas ligjeve. Për ne nuk ka qytetarë të fortë dhe të dobët. Mungesa e sundimit të ligjit është problemi kryesor i Kosovës. Në këtë rastin e fundit, Komuna investitorit i ka ofruar mundësinë që të bëjë të gjitha sipas planit zhvillimor, sipas atij urbanistik dhe që mos të dëmtohet. Por më shumë se 1 vit e gjysmë ai nuk ka përfillur asnjë vendim dhe ka vazhduar punimet aty. Komuna është detyruar që të implementojë siç duhet ligjin”, ka thënë Haskuka.

Gjatë rrënimit të një pjese të objektit të kësaj qendre tregtare, raportohet të është sulmuar, disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një kameraman. /Insajderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.