Rrënohet një ndërtesë e vjetër në Prizren, reagon “Ec Ma Ndryshe”
Organizata joqeveritare “Ec ma ndryshme”, ka reaguar ndaj rrënimit të një ndërtese në qytetit e Prizrenit.
“Ec ma ndryshe”, që është shumë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ka reaguar gjatët ditës së sotme përmes një njoftimi :
Rrënimi i ndërtesave të vjetra brenda Qendrës Historike të Prizrenit po vazhdon, pavarësisht zotimeve të institucioneve qendrore dhe lokale për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Gjatë fundjavës është rrënuar ndërtesa e vjetër në kryqëzimin ndërmjet rrugëve Rifat Krasniqi dhe Fehmi Lladrovci, që gjendet brenda kufirit të Qendrës Historike të Prizrenit. EC Ma Ndryshe ka dërguar kërkesa për sqarim dhe informim tek institucionet përkatëse lokale dhe qendrore rreth rastit në fjalë.
EC Ma Ndryshe ripërsërit kërkesën për vigjilencë nga institucionet përgjegjëse për ndërprerjen e praktikave të tilla të rrënimit të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore.
Këto praktika të qëllimshme apo të paqëllimshme (jo vetëm për rastin në fjalë) po ndodhin edhe me ndërtesa tjera dhe atë kryesisht në fundjavë kur nuk ka monitorim të institucioneve. Ka raste kur ndërtesat e vjetra po dëmtohen edhe nga vet pronarët, sidomos tash para fillimit të sezonit së vjeshtës pasi që me dëmtim të pjesshëm po krijohen kushtet që strukturat e ndërtesave të dobësohen dhe në këtë mënyrë të krijohen alibitë për kërkesa për rrënime dhe rindërtime në të ardhmen.
EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet qendrore dhe lokale që të investojnë direkt në mbrojtje, restaurim dhe rehabilitim të ndërtesave të vjetra si një zgjidhje të qëndrueshme por dhe si masë parandaluese për evitim të fenomeneve të tilla që po ndodhin në terren, thuhet në këtë njoftim.