Afër Landovicës rrënohet një objekt, mori lejen për fermë të kuajve e u shndërrua në motel
Ka filluar rrënimi i objektit në Landovicë të Komunës së Prizrenit, i cili ishte pajisur me leje ndërtimore për “ranch për kalërim”, ndërsa është shndërruar në motel.
Ky rrenim vjen pas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”, me titull: “Pazarllëqet me fenomenin e shndërrimit të fermave të kuajve në motele!”, ku tregohej se si nga gjendja faktike në terren, ky objekt nuk kishte të bënte me fermë për kalërim, por i ngjante motelit.
Ky rrënim që ka filluar këtë të premte po kryhet nga inspektorati i Komunës se Prizrenit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hulumtimi i transmetuar më 1 qershor 2024, tregonte se nga procesverbalet e inspektorëve komunal nuk ishte përshkruar gjendja reale e faktike të këtij objekti, duke përmendur vetëm tejkalimet e lejes ndërtimore por jo detaje tjera.
Pas këtij emisioni, në objektin në Landovicë që ngjan me motel, inspektorët të hënën e 3 qershorit kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke vendosur shiritat dhe ndalur punimet.
Por, pak orë pas inspektorëve, ekipi i “Betimit për Drejtësi” më 3 qershor rreth orës 11:00 kanë dalë në vendngjarje ku kishte parë heqjen e shiritave dhe vazhdimin e punimeve në kopshtin e objektit.
Për këtë, ishte njoftuar inspektori, Enver Bytyqi.
Ai kishte dalë sërish në inspektim, duke konstatuar heqjen e shiritave dhe duke theksuar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj pronarit në emër të së cilit është lëshuar leja ndërtimore, Gjeladin Shala.
Mirëpo, pavarësisht se inspektori në procesverbal ka shkruar se ka vendosur shiritin pas largimit të punëtorëve, ekipi i “Betimi për Drejtësi” pasi ka vazhduar me monitorimin e punës së tij, ka parë se punëtorët janë lënë të qëndrojnë brenda.
Lidhur me këtë, komuna kishte ushtruar kallëzim penal ndaj pronarit të lejes ndërtimore.
Në anën tjetër, edhe Prokuroria Themeloren në Prizren ka nisur hetimet për këtë objekt.
“Betimi për Drejtësi”, më 15 qershor 2024, kishte sjell pjesën e dytë të hulumtimit për ndërtimin e moteleve me titull: “Si të ndërtosh kundërligjshëm motel?”, duke u infiltruar në rolin e investitorit. Në këtë hulumtim tregohej se kush është kompania projektuese që i garanton ekipit se në tokë bujqësore mund të ndërtojë motel. Me çfarë leje ndërtimore thotë se duhet të pajiset objekti fillimisht?, etj./Betimi per Drejtesi/