25-04-2024

Rrënohet një pjesë e objektit të kompanisë “Abi”, pronari Fusha thotë se kjo është hakmarrje për angazhimin e tij politik

Inspektorët në Prizren kanë filluar rrënimin e një pjese të ndërtesës së qendrës tregtare “Abi çarshia” në rrugën “Tirana” në Prizren, siç thuhet shkaku i tejkalimit të lejes ndërtimore,  ndërsa pronari i kompanisë “Abi” thotë se një veprim të tillë po bëhet në shenjë hakmarrje ndaj angazhimit të tij politik, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Drejtoria e Inspektorateve ka njoftuar, sot se ka filluar ekzekutimin e vendimit për rrënim e një pjese të projektit të një qendre tregtare në rrugën “Tirana”, por nuk përmendet emri i kompanisë.

“Siç është njoftuar opinioni edhe më herët, ky projekt kishte tejkaluar lejen ndërtimore duke ndërtuar edhe në aksin ku parashihet ndërtimi i rrugës publike. Fillimisht, inspektorët komunal kanë kërkuar nga investitori që t’i ndalë punimet duke ia ofruar mundësinë për revidimin e lejes ekzistuese. Përkundër kësaj mundësie punët kanë vazhduar në mënyrë të kundërligjshme, gjë për të cilën edhe është gjobitur tri herë nga ana e Inspektoratit”, thuhet në kumtesën e komunës.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Abi” Irfan Fusha, konfirmoi se inspektorët kanë nisur rrënimin e një pjese të ndërtesës në kompleksin e ri në ndërtim, derisa një veprim të tillë thotë se po bëhet për inati për shkak të angazhimit të tij politik, duke kujtuar se në Prizren janë mbi 11 mijë objekt të tjera pa leje.

“Kjo po ndodh në mungesë të ligjit për legalizim. Kemi leje, pos një pjese, në të cilën komuna asnjëherë nuk ka bërë ndonjë paralajmërim se atypari do të rregullohet ndonjë rrugë”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Në zgjedhjet e fundit lokale, Fusha ka qenë kandidat i PDK-së për Asamblenë Komunale.

Në kumtesën e komunës, thuhet se pas njoftimit të lëshuar më 24.08. 2018 për ekzekutimin e vendimit, si masë e fundit ka filluar aksioni i rrënimit.

“Gjatë realizimit të ekzekutimit të vendimit pronari është zotuar edhe me shkrim se vullnetarisht do ta rrënojë pjesën e cila nuk i është reviduar me lejen ndërtimore, për çka edhe Drejtoria e Inspektorateve i ka dhënë afat që këtë deklarim ta realizojë brenda 30 ditëve. Objekti në fjalë edhe më tej do të jetë nën inspektim të vazhdueshëm, derisa vendimi të respektohet në tërësi”, përfundon kumtesa.

Ndërkaq, pronari Fusha, tha se kompleksi është në të mirën e zhvillimit  ekonomik të qytetit, pasi aty parashihet punësimi i rreth 1.200 punëtorëve, ndërsa janë të angazhuara rreth 80 kompani të jashtme./GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Komuna e Prizrenit

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.