24-11-2024

Rreth 4 mijë kilogram grurë  për hektar në Malishevë

Në territorin e Komunës së Malishevës, zyrtarisht ka filluar fushata e korrje shirjeve. Sot këtë fushatë të korrjes së grurit, e kanë parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, të cilët janë ndarë të kënaqur me rendimentet e grurit. Komuna e Malishevës, e ka formuar edhe shtabin komunal për përcjelljen e fushatës së korrje shirjeve.

Në mesin e shumë vizitave, nënkryetari Berisha dhe drejtori Hoxha, e kanë vizituar edhe bujkun Shani Hoti në Carrallukë, i cili është ndarë i kënaqur me rendimentin e grurit, pasi në arat që sot ishte duke i korrur, rendimenti sillej rreth 4. 000 kilogram me grurë për një hektar.

Përndryshe në Komunën e Malishevës, me grurë janë mbjellë 38. 780 hektar, 36 hektar me tërshërë, 18 hektar me elb dhe 4.8 hektar me thekër. Për realizimin e fushatës së korrje shirjeve, janë angazhuar 36 autokombajna, ndërsa çmimi i korrjes për një hektar është 100 euro, i përcaktuar nga ministria dhe ky çmim është duke u respektuar.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, ka deklaruar se “rendimenti i grurit është ashtu sikur edhe është pritur, pasi bazuar në raportet e sotshme, rendimenti është katër mijë kilogram për një hektar”. “Në disa vende, për shkak të shiut, ku uji ka qëndruar një kohë të gjatë në arat me grurë, rendimenti është më i ulët, por në përgjithësi, rendimenti është i kënaqshëm”, tha drejtori Hoxha.

Shtabi komunal i formuar nga drejtoria për bujqësi, do ta përcjellë në tërësi fushatën e korrje shirjeve.

Asnjë koment

Comments are closed.