Rrëzohet shtylla elektrike dhe mbyt dy qenë, zhurjanët ndjehen të pasigurt nga rrjeti i vjetruar

Gjatë ditës së sotme është rrëzuar një shtyllë elektrike në Zhur, duke mbytur dy qenë.

Banorët thonë se ndjehen të kërcënuar nga shtyllat e vjetruara elektrike në këtë lokalitet. Berzat Mujës nga Zhuri, telat e tensionit të lartë nga shtylla që është rrëzuar mesditën e së hënës ia kanë mbytur dy qenë të racës së Sharrit në afërsi të stallës së tij.

Ai shpreh keqardhje për fatin e keq të qenve të tij, por thotë se më shqetësues është fakti se në vendin ku është rrëzuar kjo shtyllë lëvizin edhe fëmijë. Pronari Muja thotë se, për këtë çështje ka informuar policinë dhe distriktin e KEDS-it në Prizren, mirëpo ata nuk kanë ardhur në vendngjarje.

Përfaqësuesit e fshatit apelojnë tek përgjegjësit e KEDS-it në Prizren, që urgjentisht të intervenojnë në rregullimin e gjendjes së rrjetit, pasi përveç kësaj pjese të Zhurit, gjendja e rëndë nga rrjeti i vjetruar paraqitet edhe në brendi të këtij lokaliteti, duke rrezikuar jetën e banorëve.

Lidhur me ngjarjen e sotme në Zhur dhe shqetësimin e banorëve të tij, ne jemi munduar të kontaktojmë drejtuesit e KEDS-it në Prizren, mirëpo ata kanë qenë të paqasshëm. Ndryshe, në brendi të Zhurit ndodhen shumë shtylla të vjetruara të cilat mund të rrëzohen dhe të rrezikojnë jetën e këtyre banorëve, ndërsa habia më e madhe është se janë vendosur prej kohësh disa shtylla betoni, por nuk është bërë vendosja e telave aty duke i lënë në shtyllat e vjetra. /tvprizreni