Rritja e dollarit amerikan shkakton probleme në mbarë botën
Kostoja e jetesës në Kajro është rritur aq shumë sa Mustafa Gamal-it, që punon si roje, iu desh të dërgonte gruan dhe vajzën e tij një vjeçare për të jetuar me prindërit e tij, në një fshat mbi 112 kilometra larg kryeqytetit egjiptian, për të kursyer para.
28-vjeçari Gamal, tani bën dy punë, duke jetuar në një apartament me të rinj të tjerë dhe duke hequr mishin nga dieta e tij.
“Çmimet e gjithçkaje janë dyfishuar,” tha ai. “Nuk kishte alternativë.” Në mbarë botën, njerëzit ndajnë dhimbjen dhe zhgënjimin e zotit Gamal.
Një tregtar i pjesëve të makinave në Nairobi, një shitës i rrobave për fëmijë në Stamboll dhe një importues vere në Mançester të Anglisë, kanë të njëjtën ankesë: një dollar amerikan në rritje i bën monedhat e tyre lokale më të dobëta, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përditshme.
Kjo është duke e komplikuar shqetësimin financiar në një kohë kur familjet tani përballen me probleme ushqimore dhe energjie të lidhura me sulmin rus në Ukrainë.
“Një dollar i fortë e përkeqëson një situatë edhe ashtu të keqe në pjesën tjetër të botës”, thotë Eswar Prasad, profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell.
Shumë ekonomistë shqetësohen se rritja e mprehtë e dollarit po rrit gjasat për një recesion global, që mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm.
Dollari është rritur 18% këtë vit dhe muajin e kaluar arriti në nivelin më të lartë të 20 viteve, sipas indeksit që mat dollarin kundrejt disa prej monedhave kryesore.
Arsyet e rritjes së dollarit nuk janë të paditura. Për të luftuar inflacionin në rritje të SHBA-së, Rezerva Federale, siç njihet Banka Qendrore, i ka rritur normat e interesit afatshkurtër pesë herë këtë vit dhe po sinjalizon se ka të ngjarë që interesi të rritet edhe më shumë. Kjo ka çuar në rritjen e interesit të bonove të thesarit amerikan, duke joshur kështu investitorët dhe duke rritur vlerën e monedhës amerikane.
Shumica e monedhave të tjera janë shumë më të dobëta, veçanërisht në vendet e varfra. Monedha indiane ‘Rupee’ ka rënë gati 10% këtë vit kundrejt dollarit, monedha egjiptiane ka rënë 20%, dhe monedha turke ‘lira’ ka shënuar rënie të jashtëzakonshme.