25-04-2024

Rruga e Hasit bëhet për “gjynah” (Foto-Video)

Traseja e rrugës Gjonaj-Bishtrazhin, që lidh fshatrat e Hasit të Prizrenit dhe Gjakovës është bërë e pakalueshme për qarkullim normal.

Deformim i trasesë, copëza të krisura të asfaltit, gropa, kanale në mes rrugës, karakterizojnë rrugën më të gjatë, që kalon nëpër rajonin e Hasit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Dëmtimet shihen kudo. Gjatë tërë asfaltit në gjatësi prej 35 km vëren dëmtime si në Gjonaj, Krajk, Ramajë, Lukijë, Kushnin, Demjan, Gërqinë, Lipovec, e gjetiu.

Në hyrje të fshatit Kushnin, në afërsi të varrezave, në një pjesë balta ka mbuluar asfaltin, aq sa lëvizja duhet bërë me tepër kujdes vetëm në njërin krah.

Në mungesë të riparimit, rruga është në gjendje të mjerueshme, apo siç thonë në Has është bërë për “gjynah”.

Kjo rrugë kërkon intervenim të shpejtë, për ta kthyer në gjendje normale, ashtu siç e meritojnë hasjanët, që për këtë aks rrugor kanë dhuruar afro 1 milion euro. /Gazeta e Prizrenit/

 

Asnjë koment

Comments are closed.