02-12-2024

Rumunët do të kërkojnë nga UEFA e FIFA të mos përballen më me Kosovën

Përballja Kosovë – Rumani ka prodhuar dramë e situata të pakëndshme në këto katër përballjet e fundit.

Përgjatë vitit që po kalon, Rumania e Kosova janë përballur katër herë, me dy ndeshje që kanë shkaktuar tensione të mëdha.

Dy takimet që shkaktuan më shumë telashe, si për rastësi janë luajtur në Bukuresht.

Vitin e kaluar, tifozët rumunë kishin shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, duke ia bashkangjitur edhe thirrjet në tribuna, të cilat ishin raciste dhe kundër Kosovës.

Futbollistët dardanë kishin dalur nga fusha e lojës, për t’u kthyer pas 40 minutave e për ta humbur ndeshjen me shifrat 2-0.

Njëjtë ndodhi edhe këtë të premte.

Dy minuta para fundit, lojtarët dardanë u larguan nga fusha e stadiumit “Arena Nationala”, por kësaj here s’u kthyen më. E, vendimi për këtë ndeshje ende s’është marrë, me dy federatat që janë ende nën ethe.

Për shkak të këtyre problemeve, nënkryetari i Komisionit Teknik të Federatës Rumune të Futbollit, Aurel Ticleanu ka thënë se do të kërkojnë nga UEFA e FIFA mos të përballen më me Kosovën.

“Mendoj se tani e tutje nuk do të biem në asnjë grup me ta në shorte. Nga këndvështrimi im, do të ishte më mirë të mos luanim më me Kosovën. Ne nuk kemi asnjë problem me ta. Unë isha atje, luajta, asgjë nuk ndodhi. Ata erdhën te ne dhe dy herë u larguan nga fusha. Në ndeshjen e parë kishte disa pankarta, tani jo. Duke qenë një çështje delikate politike, të gjithë shfrytëzojnë në maksimum rrethanat përkatëse. UEFA do t’i dëgjoj të gjitha palët e përfshira dhe mendoj se këtë kërkesë do ta bëjnë edhe në Kosovë ‘në të ardhmen të mos na vendosin me një grup me Rumaninë’”, ka thënë Ticleanu për “gsp.ro”.

Kosova sonte luan ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve ndaj Lituanisë në “Fadil Vokrri”, me takimin që nis nga ora 20:45./GS

Asnjë koment

Comments are closed.