23-11-2024

Sa ankesa janë parashtruar ndaj përzgjedhjes për drejtorë shkollash në Prizren?

Së paku dhjetë ankesa nga kandidatët që kanë konkurruar në konkursin për drejtorë dhe zëvendës drejtorë të shkollave,  i janë drejtuar Komisionit për ankesa dhe parashtresa që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Disa nga konkurrentët që pretendojnë  se ndaj tyre janë bërë padrejtësi, gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave kanë parashtruar ankesa.

Burime të afërta me komisionin për ankesa, thanë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se tashmë është mbajtur takimi i parë për shqyrtimin e tyre, të cilën do ta bëjë një komision treanëtarësh.

Njoftohet se ankesa kanë bërë: Mehmet Balaj, Lumnije Rakaj, Halim Rexhbeqaj, Engjëll Kajtazi, Nadire Ajazaj, etj.

Mehmet Balaj, drejtor në shkollën “Fatmir Berisha” në Prizren ka thënë se ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të UA MASHT nr.07/2017 për rregullimin e proceduarve të konkursit. “Ankesa ka të bëjë me diskriminimin që më është bëre, nga mos respektimi i parimit të meritës, pastaj cenimi i dispozitave të përgjithshme të ligjit të punës, shkelja e proceduarve për rekrutim të sektorit publik, lidhur me kushtet dhe kriteret e përbërjen e komisionit përzgjedhës. Mungesa e transparencës gjatë mbajtjes së intervistës dhe proceduarve pasuese”, ka thënë ai, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Pas intervistimit janë përzgjedhur 31 emra për drejtorë dhe dy zëvendësdrejtorë. Konkursi i parë për përzgjedhjen e drejtorëve, në muajin prill, ishte anuluar nga vetë kryetari i komunës, Mytaher Haskuka me arsyetimin se kishte pasur “shkelje teknike”.

Ai ndërkaq edhe kësaj radhe, derisa ka folur për emrat e propozuar për drejtorë shkollash, në profilin e tij në “facebook”, ka paralajmëruar anulimin në tërësi të procesit në rastet në të cilat ka pasur ndikime nga jashtë, duke thënë se për ato shkolla përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre. Përkundër këtij paralajmërimi ai nuk ka konkretizuar për cilat raste bëhet fjalë.

“Në pak raste ku ka pasur ndikime nga jashtë, procesi është anuluar në tërësi dhe përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre për ato shkolla”, ka shkruar Haskuka, derisa ka paralajmëruar se do të shqyrtohen të gjitha ankesat e pranuara deri në përfundim të afatit kohor të ankesave. “Nëse ato vlerësohen se kanë bazë, gjithsesi që do të merren masat e duhura për përmirësime”, ka shkruar ai.

Afati ligjor për paraqitjen e ankesave është deri me 20 tetor 2018, pra një muaj pas shpalljes së rezultateve të konkursit.

Për shkak të kësaj procesi për zgjedhjen e drejtorëve, që nisi në prill me shpalljen e konkursit të parë, vështirë se do të përfundojë deri në dhjetor. Ndërkaq në shkollat: SHML ”Lorenc Antoni”, SHML “Luciano Motroni”, SHFMU ”Meto Bajraktari” në Reçan dhe SHFMU “Dëshmorët e Kabashit” në Korishë, procesi i zgjedhjes së drejtorëve do të përsëritet./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.