13-12-2024

Sa janë zyrtare, çfarë ka ofruar menaxheri gjerman për privatizimin e Lirisë së Prizrenit?

Përderisa drejtues të KF “Liria” të Prizrenit kanë mohuar që dikush, t’i ketë kontaktuar për privatizimin e klubit, konfirmohet se një biznesmen gjerman ka bërë kërkesë zyrtare në organet komunale për marrjen në menaxhim të klubit.

Në media tashme janë publikuar shkrime se gjermani Franz Gerber, ish-drejtor sportiv i klubit gjerman Hannover 96, ka shprehur interesimin e tij zyrtarisht tek Komuna e Prizrenit, për klubin Liria, që mban statusin publik dhe aksionet janë në pronësi të vetë komunës.

Kryetari i Lirisë, Iliaz Iliazi ka thënë se për këto ka dëgjuar e lexuar, ndërsa zyrtarisht nuk ka asgjë. “Askush s’na ka kontaktuar në klub për këtë”, ka thënë për “GazetaePrizrenit.net”ai.

Në anën tjetër, ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Lirisë, Qemal Krasniqi, që thotë se është përfaqësuesi i  autorizuar nga “German Ivestitor Group”, tregon se gjermani ka qenë shumë i interesuar ta marrë në menxhim KF Liria, në një afat 10-vjeçar me mundësi vazhdimi.

“Ai edhe vitin e kaluar ka qenë, por edhe gjatë këtyre dy tre muajve të fundit ishte në Prizren, bile ka qëndrue me javë, ka kontaktuar njerëz të politikës udhëheqës lokal, por edhe me opozitën, me c’rast e ka ofruar Planin e punës, mirëpo udhëheqja e tanishme edhe pse në fillim kanë qenë të interesuar, me pas si duket kanë pasur presion prej partnerit të koalicionit, në këtë rast Nismës, sepse kjo parti politike nuk ka qen e interesuar ndryshe, përveç se njerëzit e saj që gjenden sot në udhëheqje të Lirisë të vazhdojnë kështu”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, menaxheri gjerman ka në plan të bëj investime në klub, e sidomos në shkollën e futbollit, për çfarë veç për këtë vit ka ofruar 300 deri 500 mijë euro, ndërsa kishte ofruar garancion bankar prej 1.5 milion euro.

Krasniqi thotë se një kërkesë për privatizim, menaxheri e ka bërë në Komunë edhe vitin e kaluar, ndërsa këtë e pa përsëritur edhe në fillim të majit të këtij viti. Ai thotë se për këtë janë kontaktuar edhe përfaqësues të Lirisë dhe të Drejtorisë për Sport në Prizren, por kjo ka ndodhur vitin e kaluar.

Pranimin e një kërkese të tillë e ka konfirmuar edhe kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi. “Po është ofruar një kërkesë e tillë, por me aq sa di, nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Ndërkohë, që duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë financiare, dhe rënien nga Superliga, si dhe interesimin e shfaqur nga jashtë për ta blerë klubin, Kuvendi Komunal i Prizrenit, në mbledhjen e fundit ka miratuar propozim-vendimin për formimin e komisionit për monitorimin dhe mbikëqyrjen e subjekteve përfituese nga kodi buxhetor “Politikat zhvillimore”, ku bën pjesë edhe KF “Liria”. / GazetaePrizrenit.net /

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.