24-11-2024

Sahat Kulla e Rahovecit, pika turistike në gjendje të rëndë

Në gjendje të mjerueshme ka mbetur Sahat Kulla e Rahovecit, objekt i cili është nën mbrojtje të përkohshme të trashëgimisë kulturore.

Ky monument është në këtë gjendje tash e 8 vjet, pasi nuk është marrë asnjë masë për ta ruajtur objektin, i cili daton që nga shekulli 18 e që tregon lashtësinë e qytetit, raporton KTV. Përgjegjësit e këtij objekti thonë se Sahat Kulla është e hapur çdo ditë për vizitorët, sidomos në kohën e verës kur ka vizitorë më shumë.

Por, gjendja qëndron krejt ndryshe.  Përveç se qasja në të është e mundur vetëm përmes tejkalimit të rrethojave, asetet që e bënin funksional këtë monument janë të shkatërruara e madje shumica edhe janë vjedhur.

Komuna e Rahovecit për gjendjen e tillë i fajëson qytetarët për moskujdesin e duhur ndaj këtij objekti dhe premton se do të këtë investime të reja në meremetimin e Sahat Kullës.

Zyrtarët për trashëgimi kulturore në kuadër të muzeut të qytetit e akuzojnë komunën e Rahovecit, që sipas tyre, nuk ka bërë asnjë investim për objektet historike. KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Kulturës për këtë çështje por ata nuk janë përgjigjur.

Sahat Kulla e Rahovecit është prej objekteve më të vjetra në këtë komunë, që daton nga viti 1791 dhe për herë të fundit aty është investuar në vitin 2009 nga CHwB-ja.

Asnjë koment

Comments are closed.