18-05-2024

Sallat e dasmave në Prizren, cak i ATK-së

Në sezonin e dasmave dhe ahengjeve të tjera, Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar aksione kundër shmangies së tatimeve nga bizneset. Nën llupën e ATK-së janë pronarët e restoranteve, sallave, këngëtarët dhe muzikantët e angazhuar për argëtim, kameramanët apo bizneset e xhirimit dhe fotografisë.

Një aksion i gjerë i Administratës Tatimore të Kosovës ka në shënjestër edhe diskotekat në kryeqytet. Cak i këtyre aksioneve të ATK-së gjatë ditës së premte ishin sallat e dasmave në Prizren dhe diskotekat e Prishtinës. Inspektorët e ATK-së, gjatë kontrollit në këto lokacione, kanë hasur në parregullsi të shumta, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjatë këtij aksioni inspektorët kanë konstatuar se një nga sallat e dasmave nuk ishte e pajisur fare me arkë fiskale e po ashtu u konstatua edhe se këto kompani deklaronin shuma më të vogla sesa realizonin të hyra në realitet. Inspektorët gjatë kontrollit kërkuan edhe kontratat e këngëtarëve me dasmorët, mirëpo ato nuk iu prezantuan me arsyetimin se ishin familjarë të dasmorëve.

Asnjë koment

Comments are closed.