24-11-2024

SBAShK kërkon që ndryshimet në skemat pensionale të diskutohen edhe në Parlament

Për të shprehur shqetësimet lidhur me ndryshimet që janë bërë në skemën pensionale që kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim Ardian Gola e pastaj u ka dërguar shkresa për takime shefave të Grupeve Parlamentare Mimoza Kusari Lila, Abelard Tahiri, Arben Gashi, Besnik Tahiri e Enis Kervan.

Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe përfaqësuesi i Grupit parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj.

“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri në takime të ndara u kanë ofruar argumente, të cilat ua kanë lënë edhe në formë të shkruar, z. Abelard Tahirit dhe z. Driton Selamanajt duke i lutur që të analizojnë këto fakte dhe të nisin iniciativën për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe për të nisur debat në Parlament në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet e bëra në Ligjin për skemat pensionale të financuar nga shteti dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të pensionuar nga arsimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj sindikate.

Nga SBASHK-u kanë thënë se presin që javën e ardhshme të kenë takime edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, të AAK-së Besnik Tahiri dhe të Grupit Parlamentar Multietnik Enis Kervan./IO

Asnjë koment

Comments are closed.