SBASHK-u: Greva mund të zgjasë me muaj!
Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në gjithë Kosovën të cilët po kërkojnë ngritjen e koeficientit.
Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës në arsim do të kompensohen.
Megjithatë Ymer Ymeri nga SBASHK-u ka thënë se institucionet nuk duhet të dalin me deklarata të tilla.
“Mendoj që institucionet duhet të kursehen me deklarata për fillimin ose kompensimin e orëve se ende jemi në grevë. Besoj që kemi nevojë të zhvillojmë dialog se si ta ndërprejmë grevën e jo të bisedojmë sot për zëvendësimin e orëve të humbura kur ende jemi në grevë”.
“Ndoshta greva do të zgjasë edhe me muaj. Nuk duhet institucionet të kërkojnë që të zëvendësohen ditët e humbura”.
Ymeri në Klan Kosova ka treguar edhe arsyet se pse SBASHK-u nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë por e ka vazhduar grevën.
“Oferta e Qeverisë është rritja prej 0.2 duke iu shtuar çdo koeficienti të punonjësve të arsimit parauniversitar pa i përfshirë çerdhet, Universitetin – është një ofertë shuma e përgjithshme e të cilës është 10-12 milionë euro”.
“Diferenca mes sektorëve të tjerë dhe arsimit është shumë e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse anëtarësia jonë e ka refuzuar këtë ofertë”.
“Nëse krahasohemi me Shqipërinë dhe Maqedoninë, paga e mësimdhënësit në Shqipëri dhe ministrit është në raport 1 me 1.2, në Kosovë është 1 me 5”.
“Paga e mësimdhënësve mund të jetë më e madhe në Kosovë por duhet t’i krahasojmë pagat brenda shtetit të Kosovës pra t’i krahasojmë me sektorët e tjerë”.