SBASHK-u paralajmëron grevë përsëri
Sistemi arsimor në gjithë Kosovën pritet që të përfshihet në grevë. Kjo do të ndodhë nëse nuk do të plotësohen kërkesat e Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK).
Ky institucion ka paralajmëruar greva në tërë sistemin arsimor të Kosovës përfshirë arsimin parauniversitar dhe universitar në vend.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka folur për kallxo.com për kërkesat e sindikatës drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Sipas Jasharajt, SBAShK kërkon nga MAShT që t’i shtojë angazhimet në përpjekjet e përbashkëta që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta të shkojë sa më parë në leximin e dytë, pas një diskutimi të stërzgjatur publik në Komisionin Parlamentar për Arsim dhe që të angazhohet po ashtu që Komisioni Parlamentar për Administratën Publike të pranojë kërkesën e SBAShK dhe MAShT që të korrigjohet Projektligji për pagat në mënyrë që sistemi i arsimit të ketë vend meritor në këtë Ligj.
Jasharaj pret që këto çështje të shkojnë në leximin e dytë në javën e parë të nëntorit dhe Komisioni Parlamentar për Administratën Publike të nisë procedurën e korrigjimit të këtij Projektligji.
“Këto janë dy çështje që janë tepër të ndjeshme dhe SBAShK-u pret nga Komisioni Parlamentar për Arsim dhe ai për Administratë Publike që ta bëjnë punën e tyre në mënyrë që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës të shkojë javën e parë të nëntorit në leximin e dytë dhe votimin përfundimtar dhe që Komisioni Parlamentar për Administratën Publike të nisë me procedurën e korrigjimit të Projektligjit për pagat në mënyrë që të punësuarit në sektorin e arsimit të kenë vend meritor. Presim që këto gjëra të qartësohen dhe të realizohen kërkesat e SBASHK gjatë muajit nëntor”, ka deklaruar Jasharaj.
Ai shtoi se nëse këto nuk ndodhin atëherë ai do ta mbledhë Këshillin Drejtues të Sindikatës për të raportuar dhe Këshilli Drejtues nuk e përjashton mundësinë e grevës në tërë sistemin arsimor të Kosovës.
“…atëherë SBAShK-u do të thërras Këshillin Drejtues dhe do të raportojë për gjendjen konkrete dhe është Këshilli Drejtues që merr vendim se çka tutje duke mos përjashtuar për as edhe një moment grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor, pra në Arsimin parauniversitar dhe në universitetet e Kosovës, që janë pjesë e SBAShK-ut”, tha Jasharaj.