Së shpejti nis lirimi i trasesë së hekurudhës në komunën e Prizrenit

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe ata të Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” kanë paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve për lirimin e trasesë së hekurudhës nga uzurpatorët.

Sipas tyre, nga dita e hënë ka filluar shpërndarja e njoftimeve ndaj palëve që e shfrytëzojnë në mënyrë të paautorizuar pronën e “Infrakosit”, ndërkohë që javën tjetër Inspektorati i Komunës së Prizrenit do të nisë ekzekutimin për lirimin e këtyre pronave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka sqaruar se muaj më parë ekzekutivi lokal ka arritur marrëveshje jashtëgjyqësore me “Infrakosin”, ku njëra prej pikave të ujdisë parasheh lirimin e hapësirave të uzurpuara që janë pronë e hekurudhave të Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, Agron Thaçi, ka përkujtuar se hekurudhat janë aset kombëtar, porse ato kanë degraduar në Prizren që nga paslufta me intensitet të shtuar nga viti 2004.