08-05-2024

Seanca për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë mbahet në spital

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Pjetër Ndrecaj, pasi dyshohet për vrasjen e dyfishtë, e cila kishte ndodhur të martën mbrëma në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika, gjatë së premtes, seancën dëgjimore e ka mbajtur në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, në repartin e psikiatrisë, ku prezent ka qenë edhe prokurori i shtetit, Agron Matjani, avokatja e të pandehurit Fehmije Zhubi si dhe psikiatri Zef Komani.

Psikiatri Komani, i cili është shefi i Repartit të Psikiatrisë ka deklaruar se klienti ka kaluar një stres akut dhe i njëjti mund të merr pjesë në seancën dëgjimore.

Ndërsa, mbrojtësja e të pandehurit Fehmije Zhubi, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit, deklaroi se e konsideron si vendim të ashpër dhe se sipas saj, propozimin për caktimin e kësaj mase, prokurori nuk e ka bazuar mirë.

I dyshuari ka shprehur keqardhje për rastin që kishte ndodhur dhe nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.

Kurse, gjykatësi i procedurës paraprake Shaqir Zika, pasi e ka shqyrtuar shkresën e lëndës, i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

Ndryshe, të enjten nuk kishte arritur që të përfundonte seancë dëgjimore ndaj të dyshuarit Ndrecaj, pasi që ky i fundit ishte alivanosur në momentin kur prokurori Matjani, po e lexonte aktakuzën dhe aty i pandehuri e kishte kuptuar se përveç ish-gruas kishte vrarë edhe vajën e tij nëntë vjeçare.

Pas përkeqësimit të shëndetit të tij, gjykatësi Zika e kishte ndërprerë seancën dhe i dyshuari ishte dërguar për tretman mejkësor, fillimisht në spitalin rajonal të Gjakovës e më pas edhe në qendrën psikiatrike në Prishtinë.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 7 gusht në ora 21:00, në shtëpinë e vëllezërve të tani të ndjerës, bashkëshortes së tij, Valbona Marku-Ndrecaj, me dashje ka privuar nga jeta, anëtarët e familjes përkatësisht bashkëshorten e tij tani të ndjerë dhe vajzën e tij, të moshës 9 vjeçare.

Aty thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të tani të ndjerës dhe me armën automatike “AK-47”, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerave, duke i privuar nga jeta./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.