03-10-2024

Selmanaj e cilëson “logjikë komuniste” votimin e projektligjit për KPK-në dhe KPM-në: LVV-ja devijoi nga rruga e BE-së

 

 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmnaj, pas votimit të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atij për Komisionin e Pavarur për Media nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dy projektligjet në fjalë u kundërshtuan fuqishëm nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e mediave, teksa ka theksuar se pushteti “po dëshiron ta kap çdo segment shoqëror”.

“Nëse nuk e përkrahin rrugën dhe standardet e BE-së, cilën rrugë e ka zgjedhë Albin Kurti dhe kasta e tij? A është ende BE-ja destinacioni i shtetit tonë? Apo ndoshta mendësia dhe logjika komuniste për kapjen e çdo segmenti shoqëror, e ka devijuar rrugën tonë të integrimeve euro-atlantike?”, ka pyetur Selmanaj përmes një statusi në Facabook.

Tutje, deputeti i LDK-së ka shtuar se “ky soj i politikanëve, mendërisht dhe strukturalisht janë kundër rendit demokratik dhe kushtetues”.

“Qeveri dhe shumicë parlamentare me logjikë kundër kushtetuese dhe kundër standardeve të BE-së. Përkundër kërkesës dy herë radhazi të opozitës dhe Bashkimit Evropian për tërheqjen e tri projektligjeve, LVV dhe partnerët e koalicionit, i votuan dy nga to që kanë elemente kundër kushtetuese dhe janë qartazi kundër standardeve të Bashkimit Evropian”, shtoi.

“Mos të harrojmë që të dy P/ligjet, ai për Këshillin Prokurorial dhe ai për Zyrtarët Publik, të sponzoruara nga kjo qeveri, ishin shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese disa muaj më parë. Pothuajse me të njëjtën logjikë dhe të njëjtën frymë normative, janë risjellur dhe u votuan në Kuvend”, potencoi ai.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, vlerësoi se Qeveria “nuk i ka marrë parasysh komentet” e Unionit për Projektligjin për Zyrtarët Publik, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Megjithatë, përkundër kërkesave të BE-së, Kuvendi me 61 vota për miratoi Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Asnjë deputetë nuk votoi kundër.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media. /Albania Post

Asnjë koment

Comments are closed.